12 mars 2015 – Organi zyrtar i PDSH-së, ‘Rilindja Demokratike’ botoi një listë me emrat e 9 deputetëve, të cilët sipas kësaj gazete janë pjesë e një liste amerikane të deputetëve “non grata” për amerikanët, sepse janë persona të kriminalizuar në radhët e ligjvënësve shqiptarë. Një nga emrat e listës ishte edhe ai i Esmeralda Shkjaut, deputete durrsake. Esmeralda e ka mandatin e vet të parë në Parlament. Ajo është në moshë të re (i përket brezit të pas vitit 1990) dhe me të vërtet ishte diçka e habitshme, që emri i saj të ishte në të ashtuquajturën listë amerikane të elementëve të kriminalizuar të Parlamentit Shqiptar.
Deputetja informoi median tonë se sapo ishte kthyer nga Beogradi, ku kishte marrë pjesë në konferencën për Integrimin Europian, për bashkëpunimin rajonal për Europën Juglindore (COSAP) dhe ishte informuar me vonesë për listën e RD-së. Ajo hodhi poshtë me neveri si shpifje dashakeqe përfshirjen e emrit të saj në këtë listë personash të inkriminuar, sipas RD-së.
Ajo u shpreh se duke qenë deputete e re i përket asaj gjenerate, që është rritur me ëndrrën amerikane dhe nuk mund të ishte pjesë e një liste amerikane me deputetë të inkriminuar shqiptarë. Deputetja Shkaju theksoi se vetë Ambasada Amerikane në Tiranë, zyrtarisht e përgënjeshtroi RD-në për listën në fjalë. Me pastërti e sinqeritet deputetja durrsake deklaroi se asaj i vinte keq që u bë objekt i shpifjes së radhës nga RD-ja, por kur njeriu i futet politikës është i detyruar të durojë edhe shpifje të tilla të prodhuara nga kundërshtari politik. Redaksia e “www.Durrëslajme.com” gjen rastin të falënderojë deputete Esmeraldën për komunikimin korrekt dhe përgjigjen sa më shpejt, që ishte e mundur për pyetjen e bërë nga media jonë.
/Gj.Th. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





