Katër vitet e ardhshme, zëvendësministrja e Arsimit, Nora Malaj do jetë deputete e Lëvizjes Socialiste për Integrim për Durrësin. E rritur në një qytet bregdetar, ajo premton se do të bëjë gjithçka që banorëve të asaj zone t’u përmirësohet jeta.
Pas 8 vitesh si zëvendësministre e Arsimit, ku ka qenë pjesë e këtij institucioni, si gjatë qeverisjes së djathtë ashtu edhe të majtë, ajo do të jetë në opozitë. Edhe pse ka qenë drejtuese e Maturës Shtetërore në këto vite, përsëri forca politike që ajo përfaqëson (LSI) ka qenë një ndër kritikueset më të rrepta të reformës për arsimin e lartë.
Malaj, në këtë intervistë për Dita-n nuk preferoi t’i përgjigjej pyetjeve mbi reformën të cilën ajo e drejtoi. Se çfarë do të ndodhë me LSI-në, si do të jetë kjo forcë politike në opozitë dhe zhvillimet e fundit në këtë kamp, Nora Malaj i rrëfen në këtë intervistë.
-Zonja Malaj, si një person me një eksperiencë të gjatë në mësimdhënie, duket se këtë herë do të riktheheni edhe njëherë në ‘banka’ por në ato të ligjvënësit, çfarë ndjeni?
Ndjej shumë emocion, shumë përgjegjësi dhe mendoj se tanimë të ulesh në “bankat” e Parlamentit është një pozicion, të cilën pas 18 viteve në politikë, duke kuptuar që krahas mësimdhënies në të gjitha nivelet, që është profesioni im i parë, të kthehet për mua mirëfillti në profesion, për të bërë një opozitë të fortë, konstruktive dhe shumë cilësore.
-Ju do të përfaqësoni Durrësin në këtë legjislaturë, cila është lidhja juaj me këtë qytet?
Durrësi është qyteti ku unë jam rritur. Kam shkuar në Durrës në moshën 3-vjeçare, pasi prindërit e mi u transferuan nga Tirana në Durrës, për arsye se im atë kishte studiuar jashtë për nëndetëse dhe pasi u kthye nga San-Peterburgu, u vendos në Tiranë dhe më pas u transferuam në Durrës, me detyrën e Shefit të Shtabit të Flotës Luftarake datare, me gradën kolonel dhe mamaja, fillimisht lektore në shkollën për ndihmësmjeke për mami.
Në këtë qytet shumë të veçantë dhe shumë të dashur për të gjithë, jam formuar dhe konsoliduar si qenie humane. Kam kaluar periudhën e fëmijërisë dhe të rinisë, që kanë qenë më të bukurat dhe që ndikuan në formimin tim, si individ, derisa mbarova shkollën e lartë dhe pastaj krijova familjen që e kam edhe sot në Tiranë. Ende familja e prindërve është në Durrës, ndonëse babai më ka ndërruar jetë. Raportin me Durrësin e kam pasur dhe e kam shumë të veçantë dhe shumë të brendshëm. Dhe jo vetëm unë po edhe familja ime.
-Një grua deputete, mendoni se e ka më të vështirë rrugën e politikës se sa një burrë?
Të jesh grua, të krijosh personalitet individual dhe profesional, të punosh shumë për të krijuar një profil në profesion,të punosh shumë për të krijuar një familje të shëndetshme dhe për ta menaxhuar atë, të punosh shumë për të kontribuar në fushën e botimeve dhe për t’u marrë me to, të punosh shumë për t’u promovuar fushën e medias dhe për të qenë zë në shoqërinë civile dhe të guxosh që të hysh në politikë në vitin më të vështire, siç ishte viti 1997 dhe të mundohesh që të mos trembesh dhe të jesh me identitet dhe integritet edhe kur je në opozitë, pa punë, siç ishte 2005 dhe kur je në pozicion drejtuese, duke punuar fort dhe duke i njohur gabimet, por duke mos e lejuar veten të bësh faje, e pasi i ke kaluar të gjitha këto sfida dhe je ngjitur shkallë – shkallë, pasi i ke kaluar të gjitha vështirësitë, nuk më duket më mision i pamundur, po një mision i mundur të qenë edhe grua deputete, po aq sa burrë deputet.
Nuk mendoj se në këtë pozicion jam nga kuota, po mendoj se këtë pozicion e kam mbërritur pas një karriere të gjatë në politikë dhe pasi kam një karrierë të spikatur në fushën akademike dhe menaxheriale. Për mua dallimi midis një gruaje dhe një burri në politikë është se gruaja në politikë duhet të sillet si grua (dmth të mos burrërohet) dhe në vendimmarrjet të mendojë dhe të veproj si një burrë. Atëherë ajo bëhet politikane e suksesshme dhe produktive.
-Çdo person që merr mandatin për të përfaqësuar popullin në kuvend, duhet ta ketë një mision, cili është i juaji?
Misioni im është që të jem një zë i fuqishëm në parlament, së pari për të hartuar ligje të mira që gjejnë zbatim, së dyti për të rregulluar apo ndryshuar të gjitha ato ligje që në realitetin ku gjendemi nuk kanë prodhuar pozitivitet, po kanë krijuar situatë jo rentable, së treti për të menaxhuar dhe për t’u bërë një zë i fuqishëm në interes të shtresave ne nevojë dhe të kategorive më vulnerabël në shoqëri.
-Si shkoi fushata, dhe çfarë ju la në mendje?
Ka qenë fushata më e vështirë, pasi ishim në një zonë me shumë problematika, sidomos Kruja dhe Fushë -Kruja, shumë e ngarkuar emocionalisht dhe me njerëz shumë të frikësuar dhe të blerë në emër të varfërisë dhe të mësuar me këtë mënyrë votimi ndër vite. Me incidente të shëmtuara dhe të papranueshme dhe me shumë të tjerë të armatosur, gjë që për mua ishte tejet e papranueshme, kur pranojmë që jemi një shtet demokratik dhe themi se bëmë zgjedhje të ndershme dhe të drejta. Njëkohësisht isha edhe kandidate dhe njëherazi beja edhe detyrën e kryetares së Maturës Shtetërore, barrë që duhet ta realizoje me profesionalizëm për të ruajtur standardet e provimit. Ajo që më bëri përshtypje e në këtë fushatë jam shoqëruar nga mijëra qytetarë dhe qytetare, të rinj dhe të reja që jo vetëm më vlerësuan, por edhe më votuan. Ndjeva dashurinë e tyre dhe besimin, ndonëse ishin pjesë edhe e kërcënimit apo edhe e presioneve të shumta. Ishte një fushatë nga më të veçantat që po mendohem ta hedh në një libër dhe ta titulloj: “Sfidat e një gruaje në politikë”.
-Besoj keni takuar shumë njerëz, cilët janë problemet më të shumta që ata kanë?
Jo vetëm që kam shumë njerëz, nga shtresa të ndryshme dhe grupime të ndryshme shoqërore, që nga zonjat e mrekullueshme të Durrësit që drejtojnë fasoneri e biznese, te gratë shtëpiake e të përvuajtura të Shën Vlashit, Manzës, Rrashbullit, Ishmit, Fllakës, Mozhes, Bubqit, Krujës, Fushë- Krujës, te të rinjtë, të moshuarit, po edhe fëmijët.
Më kujtohet që në një nga takimet në Fushë- Krujë, një djalë i vogël, Enea, që kish ardhur në takim bashkë me gjyshen më thotë: “Teta Nora, e di çfarë dua unë? Çfarë i thashë? Të na bëni një kënd lodrash këtu te lagja se nuk kemi me çfarë të luajmë. Ne këtë fushatë kuptova edhe më shumë thënien që sa më shumë i njoh njerëzit, aq më shumë mpreh mendjen dhe lëmoj shpirtin
-LSI thotë se PS i vodhi zgjedhjet. Si u realizua kjo kur nuk ka asnjë provë bindëse?
Prova bindëse?! Sa të duash… Në të gjitha kutitë që u hapën në zonën time mbizotëronin parregullsi, që nga kuti fiktive të mbushura me fletët votimi nga një njeri që u nxorën të pavlefshme, deri te votime familjare ku i kam konstatuar vetë dhe deri te procesverbale të parregullta, të gjitha të dokumentuara. Për të mos thënë pastaj për presione te komisionarët që të shisnin vota. Tashmë LSI i ka të dokumentuara të gjitha shkeljet me pamje filmike dhe do t’i çoj për procedim.
-Zonja Malaj, tashmë që LSI do të jetë në opozitë mendoni se do të keni vështirësi në mbajtjen e premtimeve?
Pse? Opozita deri më tani në Parlament pothuajse nuk ka funksionuar dhe ka qenë aq inekzistente, saqë dy vitet e fundit opozita konstruktive është bërë nga LSI. Të mbash premtime do të thotë të jesh një sy vigjilent, një vesh i mprehtë për të dëgjuar dhe për të kuptuar qartë mënyrën sesi do të qeveriste, të dish të ngresh probleme dhe jo të besh zhurmuesin, të dish të debatosh dhe jo të ngresh thjeshtë kartonin, të bësh interpelancë dhe të kërkosh që gjërat të zgjidhen në të mirë të popullatës dhe jo në interesa të oligarkëve dhe të oligarkisë, kjo do të thotë të mbash premtimet dhe t’i shërbesh asaj që ti i ke premtuar.
-Mendoni se kjo do të ndikojë që njerëz që janë afruar për vende pune mund të largohen nga LSI?
Sa keq që edhe mediat bëhen shpeshherë pjesë e krijimit të klimës së frikës. Mendoj se gjuetia e shtrigave duhet të ketë kohë që tashmë ka perënduar, kjo s’do të thotë që shumë individë nuk e kanë problem që vendin e punës ta shohin si pronë të tyre dhe jo si një kontribut për shoqërinë dhe si një nevojë për të kuptuar që puna ndërtohet mbi bazën e disa kodeve, kodit etikë, profesional, mbështetur ne ligjin e administratës publike dhe nuk mund të ngelet në duar e atyre njerëzve mendje ngushtë dhe jo vizionar, jo më drejtues, që nuk mund të jenë pjesë e drejtimi të administratës publike.
Si person më ka rënë që të punoj në disa pushtete dhe asnjëherë, në asnjë rast nuk i kam parë njerëzit si tanët apo atyre, po si qytetarë që jemi shqiptarë që nuk duhet të ndërtojmë raportet mbi hakmarrjen dhe meskinitetin dhe mizatropinë. Këtyre njerëzve ju them: Nëse doni të drejtoni që t’ju respektojnë dhe t’ju ndërrojnë ju këshilloj që “Hakmarrjen ta shkruani në një pjatë të akullt dhe ta nxirrni në diell që të shkrijë”. Kjo është një këshillë në mënyrë që nesër nëse kushdo kur ta shoh ndërgjegjen e tij në pasqyrë të mos i vijë turp për fajet që do të bëjë.
-Në gjykimin tuaj përse u nda PS nga LSI?
Shumë e qartë dhe shumë e drejtë: L SI si në rastin e parë me PD dhe me PS, në emër të kombit dhe nevojës që kishte vendi ynë për marrjen e vendit kandidat, për liberalizimin e vizave, për anëtarësimin në NATO si dhe për të një stabilitet ekonomik, duke respektuar të gjithë votuesit pranoi mbështetur në platforma dhe marrëveshje të behet pjesë e drejtimit dhe menaxhimit për të hartuar edhe shumë lidhe të rëndësishme për Shqipërinë.
Tashmë në maturimin e saj politik dhe në filozofinë dhe vizionin e saj si partia e tretë në vend, me shumë të drejtë donte të provonte veten dhe gjithsesi ia arriti. Që të provosh veten do të thotë që edhe pse të gjitha sulmet të shigjetojnë dhe drejtohen ndaj teje, ti guxon dhe me objektiv të qartë dhe korrekte pranon të garosh vetëm dhe prapë të dalësh fitimtare duke rritur numrin tënd të deputetëve në Parlament, ndonëse Kodi zgjedhor nuk të favorizon.
-Ka një perceptim sikur Rama ka arritur një marrëveshje me Bashën për të qenë bashkë katër vitet e ardhshme. Cili është mendimi juaj për këtë bashkëpunim?
Le t’ia lemë kohës në këtë kazan politik çfarë do të ndodhë. Sot më shumë se kurrë PD fatkeqësisht për të gjithë ka dalë si një amebë, pa formë, pa ngjyrë, pa identitet. Për mua kjo është fatkeqësi dhe trishtim.
-Zonja Malaj, përse lufta më e fortë në këto zgjedhje nga PD dhe PS u bë ndaj LSI?
LSI është si puna e pemës me kokrra , të gjithë e gjuajnë se duan ta dobësojnë… ndonëse nuk e mbërritën dot.
-Cili është bilanci i qeverisë në katër vitet që lamë pas?
Fakti që vetëm 60 për qind e popullatës bojkotoi zgjedhjet flet më shumë se çdo bilanc tjetër.
Në këtë parlament për herë të parë do të jenë 39 gra deputete, a do të ndikojë kjo shifër në zbutjen e toneve të politikës?
Mendoj dhe do të dëshiroja që edhe falë prezencës më të madhe të zonjave dhe zonjushave parlamenti nuk do të jetë më një arenë gladiatorësh ku njëri bërtet, tjetri fyen dhe të tjerët ndoten nga fjalori banal dhe qytetarët e quajnë “black humor” , humor i zi, po do të jetë një parlament ku përgjegjshmëria e bërjes së ligjeve, e luftës kundra kanabizimit, e realizimit të vetingut dhe e vendosjes së krijimit të një ekonomie të qëndrueshme të jenë kryefjala e diskutimeve dhe debateve.
-Zonja Malaj të kemi parë vazhdimisht të angazhuar, por cilat janë pasionet tuaja jashtë politikës?
Ajo prej të cilës nuk jam ndarë kurrë është leximi, dëshira për të shkruar dhe për të qenë e dobishme për cilindo. Si natyrë jam shumë sociale dhe mendoj se pasuria më e madhe e njeriut nuk është paraja, po shpirti dhe investimi që ti bën te njerëzit për të mos i vrarë shpirtërisht dhe për të qenë pranë tyre kur ata kanë nevojë për ty dhe duan një sup ku të mbështeten dhe të gjejnë këshillues të mirë për t’i ndihmuar rreth rrugëtimit të përroit të ndërgjegjes, që hera – herës për këdo është luftë midis së mirës dhe së keqes.
-Cila është familja juaj?
Familja ime është e përbërë nga disa breza. Me mua jetojnë bashkë edhe prindërit e bashkëshortit tim, dy personalitete të njohur, profesorë të nderuar që tani janë në një moshë madhore, që unë i përshëndes dhe i dua shumë edhe gjyshin edhe nënën, është Tani me Stelën, po që nuk jetojnë me ne , djali dhe nusja e djalit (në fakt është vajza që unë nuk e kam patur dhe që ma dhuroi Zoti) dhe Solei, dielli i nënës që është një dashuri e paparë.
-Po na tregoni pak, si ndiheni si gjyshe?
Kur ka lindur Solei unë përjetova dy ndjesi; dashurinë super të madhe të lindjes së vajzës dhe pas disa ditëve të humbjes së tim eti. Më kujtohet që kur im at e pa Solein, pasi vdiq papritur, i shkroi Stelës, (me Stelën dhe Tanin im at ka pas një raport special jo si nipi me gjyshin por si shok) : E dashur Stela, sot është dita më e lumtur për mua edhe për nëna Vitën. Ti sot më ke bërë dhuratën më të madhe. Me ardhjen e Soleit ti më dhe statusin më të mrekullueshëm të stërgjyshit. Tani nuk kërkoj më asgjë nga jeta…por jam i bindur që kur të rritet Solei do më bëjë edhe Katragjysh…” Kjo ishte letra e fundit që la im atë… Për Mua Solei është përtej dashurisë, është një ndjesi aq e madhe, saqë nuk kam fjalë ta përshkruaj… Është mjaltë i mjaltit.
-Zonja Malaj, sa vite keni punuar në mësimdhënie dhe çfarë kujtoni nga ajo kohë?
Sa vite kam në mësimdhënie? Terë jetën. Nuk e kam ndërprerë asnjëherë mësimdhënien. Edhe në pozicionin si zëvendësministre e kam ushtruar me kohë të pjesëshme në Universitet. Mendoj se kjo është një nga punët që di të bëj më mirë. Atje jam vetvetja, pranë studentëve, me dëshirën për të dhenë gjithçka që di dhe për të mësuar më shumë në çdo kohë. Mësimdhënia është art i fjalës dhe dijes. Nëse i do njerëzit dhe punon për ta bëhesh mësues dhe lektor i mirë. Mësimdhënia nuk është profesion, por më shumë është mision dhe pasion. Duhet ta duash atë që bën dhe duhet të japësh diçka nga vetja jote.
-Brezat ndryshojnë, duket se adoleshentët e sotëm janë më të vështirë sesa ata të djeshëm, apo kështu ka qenë gjithmonë?
Brezat natyrisht ndryshojnë. Më kujtohet një poet i madh që ju drejtohet nënave dhe baballarëve e u thotë: Mos harroni, fëmijët tuaj, nuk janë vetëm tuajt, po janë edhe fëmijët e botës ku lindin.
Ndaj ne të rriturit duhet të jemi më të vëmendshëm ndaj tyre, nuk duhet t’i vëmë vetëm ne ruajtje po edhe t’i ndihmojmë ata, nuk duhet t’u themi bëjë, po hajde t’i bëjmë gjerat bashkë. Kështu bëhet shoqëria më e mirë dhe kështu historia nuk do na ndëshkojë për nxitjen e luftës së brezave.
– Si e komentoni largimin e Zotit Vasili dhe kandidimin e zonjës Kryemadhi?
Zoti Vasili nuk është larguar po është dorëhequr nga detyra e kryetarit që iu besua për të drejtuar grupin parlamentar të LSI, një rol që do të jetë shumë i nevojshëm dhe me eksperiencën dhe maturinë, e zotit Vasili. Jam e bindur që ne do të bëjmë më në fund oponencë konstruktive në Parlament, si grup i mirë strukturuar opozitar dhe jam shumë e lumtur që zonja Kryemadhi do të vihet në krye të partisë, së pari se Mona ka qenë gjithnjë prapa kuintave dhe asnjëherë nuk ka patur në Parti poste drejtuese, së dyti ka një karizëm dhe një aftësi menaxheriale shumë të veçantë, di të lobojë dhe të motivojë, se tashmë ka arritur një pjekuri dhe maturë si në moshë dhe në karrierën politike. Është grua dhe kjo përbën një tjetër risi dhe forcë, është qartësisht e artikuluar dhe ka aftësi të bashkëbisedojë me këdo dhe është e papërtuar. Është një kandidaturë që ne gratë jo vetëm e mbështesim, nuk flas për të rinjtë se ata tashmë e kanë idhull, po të them edhe një sekret. Kur bëmë votimin në Konventë për një anëtar një votë për KDK, ishte gruaja më e votuar. Mendoj se është gjetja më e mirë si kandidaturë në kohën e duhur dhe vendin e duhur. Me zgjedhjen e saj në krye të partisë dhe me z. Rama dhe znj. Xhixho si zvkryetarë të Partisë mendoj se politika do të bëhet shumë interesante , pse jo edhe sharmante.
-Ju besoj e keni parë, shumë të rinj duan të largohen nga vendi, sipas jush, çfarë i shtyn ata të kenë këtë dëshirë?
Ikja nga shtëpia është shumë e trishtë edhe për atë që e le shtëpinë dhe ikën nga sytë këmbët, edhe për atë që gjendet në shtëpi. Natyrisht sot bota është bere globale dhe qenie njerëzore do të eksplorojë po është shumë po shumë e nevojshme që ne të ndërtojmë një vend ku të duam njëri- tjetrin, siç thotë Nënë Tereza, se pastaj nuk do të na dojë më askush… /Gazeta Dita