Në ditën festive të Krishtlindjes, deputetja e Durrësit Fatbardha Kadiu, pasi jep urimin e saj për të gjithë shqiptarët, lëshon edhe një apel të fortë për politikën shqiptare, në një postim në Facebook.

Duke theksuar se varfëria është ulur këmbëkryq në shumë familje shqiptare, që nuk kanë me çfarë të ushqejnë fëmijët, Kadiu thekson se Qytetarët shqiptarë meritojnë më shumë vëmendje dhe një shtet që bën politika sociale dhe u vjen në ndihmë shtresave në nevojë; që mendon si t’ia bëjë jetën më të mirë qytetarëve në çdo cep të vendit!  Sot është një ditë feste, por edhe një moment për të reflektuar!

Statusi i plotë i Fatbardha Kadiut:

Sot pata kënaqësinë të jem pranë të gjithë qytetarëve të krishterë të qytetit te Durrësit, duke i uruar gëzuar Krishtlindjet, ditë të mbara dhe plot harmoni në familjet e tyre! Falenderoj At Gjerasim Cakalli, At Spiro Qosja, At Spiro Kostolli dhe te gjithe stafin e Kishes Orthodhokse “Apostull Pavli dhe Shën Asti”, Durres per mikepritjen e tyre.

Toleranca ndërfetare është vlera që ne duhet t’i përçojmë të gjithë vendeve evropiane dhe mbarë botës. Por edhe në këtë ditë të bekuar varfëria është ulur këmbëkryq në familjet e shumë e shumë shqiptarëve, të cilët vuajnë për bukën e gojës. Nuk kanë me çfarë të ushqejnë fëmijët, nuk kanë para për të paguar faturat e dritave, nuk kanë punë, nuk kanë shtëpi, nuk kanë drejtësi. 

Qytetarët shqiptarë nuk kanë as mbështetje nga shteti apo një shpërblim për festat dhe e ardhmja e tyre është gjithnjë e më zymtë, pasi janë lënë në harresë nga qeveria dhe kryeministri, i cili mendon vetëm për xhepat e tij. 

Qytetarët shqiptarë meritojnë më shumë vëmendje dhe një shtet që bën politika sociale dhe u vjen në ndihmë shtresave në nevojë; që mendon si t’ia bëjë jetën më të mirë qytetarëve në çdo cep të vendit! 

Sot është një ditë feste, por edhe një moment për të reflektuar!