17 korrik 2015 – Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu, është bërë pjesë e garës së femrave në automobilizëm që u zhvillua në Prishtinë. Deputetja Deliu këtë e ka bërë të ditur përmes një fotografie të postuar në profilin e saj zyrtar në rrjetin social “Facebook”. Ajo ka thënë se arsyeja pse ka marrë pjesë në këtë garë është për shkak se, siç ka shkruar vetë, shoqëria duhet të sensibilizohet ndaj sportisteve femra që në automobilizëm jo vetëm në Kosovë, por edhe më gjerë.
Për sa i përket garës, deputetja Deliu është pozicionuar në vendin e katërt në renditjen e përgjithshme. Suzana Kuqi ishte fituesja e Çmimit të Madh të Prishtinës. Në përfundim të garës, Deliu u shpreh:
“Nuk e kam provuar më herët këtë eksperiencë, sepse nuk kemi pasur gara për femra në Kosovë. Nuk jam e përkryer në timon, por pata dëshirë ta provoja veten në një garë. Mendoj se kjo ishte një nismë e mirë që i heq paragjykimet se femrat nuk mund të garojnë”.
Më pas, lidhur me renditjen e garës, ajo ka shtuar: “Nuk e prisja këtë rezultat, pasi dëshiroja më tepër që të merrja pjesë dhe natyrisht që u ndjeva mirë kur mora vesh se kam fituar një çmim”, tha Deliu.
Në aktivitetin e djeshëm morën pjesë 23 garuese të ndara në tri kategori. Në këtë event sportiv nuk kanë munguar as figurat publike, përfshirë dhe ish-ministren Justina Shiroka Pula. Gara u ndoq nga një numër i konsiderueshëm shikuesish.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/