Deputetja e LSI-së, Kejdi Mehmetaj, e ka quajtur deputetin Robert Bitri, si një Rilindas të vonuar teksa komenton votimin e tij me kartën e Vangjel Tavos pro ligjit për Teatrin Kombëtar.
Në një status në Facebook, Mehmetaj duke iu referuar ish-kolegut të LSI-së, shkruan se Bitri nuk ka pse të qëndrojë më as formalisht në rradhë me deputetët e LSI-së.
STATUSI I PLOTË
Rilindasi i vonuar, alias Robert Bitri …
Nuk kishte se si të mos bëhej sërish protagonist i shëmtisë së maxhorancës në përpjekjen për të prishur teatrin, edhe rilindasi më i ri i rilindjes së vjetër të Edi Ramës, përkatësisht Robert Bitri!
Sepse, megjithëse i ka sytë në ballë, e megjithëse nuk ka shfaqur simptoma çorientimi, nuk na ka dhënë ndonjë shenjë se nuk di as shkrim e as këndim, aq sa për të mos lexuar emrin e tij në kartën e vet apo edhe në monitorin e sallës së Kuvendit!
Mungesë integriteti, karakter të dyfishtë, moral të denjë për një rilindas shëtitës!
Ky është portreti i Robert Bitrit, rilindasit më të ri të rilindjes së vjetër të Edi Ramës, i cili nuk ka se përse të qëndrojë më as formalisht në rradhë me deputetët e LSI-së!





