Incidenti diplomatik i së mërkurës në Strasburg i shkaktuar nga fjalimi i kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama sa vjen e thellohet.
Rama mbajti një fjalim në Asamblenë e Përgjithshme në Strasburg, ku kryefjalë e diskutimeve ishte Kosova dhe akuzat ndaj ish-krerëve të UÇK për trafik organesh.
Gjatë seancës ku po shqyrtohej raporti i Dick Martit për krime lufte në Kosovës pati dhe një debat mes kreut të qeverisë shqiptare dhe anëtares greke në Asamblenë parlamentare të KiE, Nina Kasimati.
Kjo e fundit përmes rrjeteve sociale deklaroi këtë të premte se Edi Rama e sulmoi ashpër verbalisht.
Deputetja sqaron se gjithçka nisi pas pyetjes së saj se si po ecën procesi i anëtarësimit në BE, në një kohë kur Shqipëria forcon marrëdhëniet me një shtet kërcënues si Turqia.
“Përgjigja fyese e zotit Rama “për zonjën” “gruaja greke” krahas një himni politik ndaj Turqisë, si dhe qëndrimi i tij provokues në përgjithësi, i paprecedentë në Strasburg, shkaktuan reagimin e krerëve të të gjitha grupeve politike, të cilët vendosën unanimisht në një shenjë mosmiratimi për të mos marrë pjesë në darkën zyrtare të thirrur nga kryeministri shqiptar”, tha Kasimati.
Të mërkurën deputetja Kasimati e pyeti Ramën lidhur me marrëdhënien e Shqipërisë me Turqinë dhe ndikimin e këtij partneriteti në aderimin e Shqipërisë në BE. Kësaj pyetjeje kryeministri Edi Rama iu përgjigj duke thënë se Shqipëria nuk zgjedh mes miqve, referuar Turqisë e Greqisë.