Nga foltorja e Kuvendit, deputetja Edlira Hyseni, ka ngritur disa nga shqetësimet e qytetarëve durrsakë. Deputetja renditi disa nga problematikat kryesore si shtrimi i rrugëve 2-3 herë brenda një kohe të shkurtër, rrethrrotullime që ndërtohen në darkë dhe prishen në mëngjes, gjelbërim i munguar në zona të ndryshme të qytetit, trafik i rënduar në orare piku etj.

“Të jesh durrsak do të thotë psh të kesh rrëshqitur të paktën një herë në sheshin përpara Bashkisë apo të kesh sharë nëpër dhëmbë sa herë ke kaluar në atë shesh në mes të zhegut përcëllues. Unë mendoj se durrsak të bën dashuria për qytetin dhe nuk besoj se ka shumë deputetë të tjerë, prezentë ose të kaluar, që ta kenë dashur më shumë se unë këtë qytet.”– tha ndër të tjera Hyseni në fjalën e saj.

Duke u ndalur tek përmbytjet e lagjeve të qytetit për shkak të reshjeve, deputetja Hyseni nënvizoi se:

“Durrësi ka nevojë për një investim serioz dhe fonde qeveritare të posacme për zgjidhjen në themel të problematikave që lidhen me dy kanalet kryesore të ujërave të bardha dhe të zeza. Ato kanë nevojë për pastrim, sistemim, mbulim dhe riorganizim.  E së bashku me kanalet ujitëse dhe vaditëse, mirëfunksionimin e hidrovoreve dhe rezervuareve kudo ato janë, të bëhet e mundur zgjidhja e vërtetë e problemit të madh të përmbytjeve në Durrës.”

Duke u ndalur në problematikat e biznesit të vogël, të mesëm dhe të madh në Durrës, deputetja Hyseni u ndal veçanërisht në fushatat anti informalitet që sipas saj nuk po ndihmojnë aspak klimën e të bërit biznes.

“A e dini se njerëzit mendojnë që këto janë vetëm luftë ndaj tyre për realizim plani buxhetor dhe individual?”,– shtroi pyetjen ajo para kolegëve të saj deputetë dhe ministrave të qeverisë Rama.

Sipas saj, shumë biznese po përpiqen të mbijetojnë sidomos dy vitet e fundit, pasi zhvlerësimi i euros dhe konkurenca e pandershme e ka bërë thuajse të pamundur për disa biznese të mbulojnë kostot, e jo më të dalin edhe me fitim.

"Zhvlerësimi i euros ndaj lekut dhe humbjet nga kursi i këmbimit valutor, në kushtet kur shpenzimet e biznesit për paga, qira, taksa e tatime etj, janë përherë në lekë, ndërkohë që klientët e huaj, të cilët u garantojnë atyre tregun dhe punën, nuk kanë asnjë leverdi dhe interes të rishikojne çmimet e shitjeve të produkteve e shërbimeve të marra, duke e bërë shpesh të pamundur mbulimin e kostove me të ardhurat e realizuara. Rezultojnë ankesa dhe shqetësime në rritje për mungesën e tregut të lirë dhe garantimin e konkurencës së ndershme. Në kushtet e një ekonomie që nuk pasqyron kohë të arta të memories së biznesit, përtej shifrave statistikore të marra shpesh për referenca formale dhe tek të cilat pak besojnë për vërtetësinë dhe saktesinë, lufta mes llojit bëhet më e ashpër dhe forca e lekut ca më e madhe . Por është sinqerisht alarmuese të shohësh biznese shumëvjeçare durrsake që sot rrezikojnë falimentimin”,- tha Hyseni.

M.B.