Policia e Kosovës ka marrë në pyetje përreth tre orë deputeten Flora Brovina, në lidhje me fotografinë e publikuar dje, që sipas saj dëshmon dhunimin e një gruaje 35 vjeçare nga ushtarët serbë gjatë luftës në Kosovë.
Në një prononcim për mediat, deputetja Brovina ka vënë në pikëpyetje vërtetësinë e fotos teksa ka thënë se mund të jetë dokument i falsifikuar , të cilin e ruante prej shumë vitesh.
"Dokumentin e kam nga viti 2003. Saktësinë e dokumentit (fotoja), do ta vërtetojnë organet e shtetit të Kosovës. Më lejoni grave të dhunuara tu kërkoj falje e familjeve të tyre për shqetësimin që ju kam sjellë në këtë foto. Organet e shtetit po merren me këtë foto. Është një dokument ndoshta i falsifikuar që është keqpërdorur shumë kohë më herët, ndoshta në 2003 kur më është dorëzuar si kryetare e komisionit për personat e zhdukur nga një aktivist i këshillit të të drejtave të njeriut. Ai e dokumente se mund ta përdorja dhe personi është gjallë. Përgjigjen më të mirë do të jep Prokuroria e Shtetit të Kosovës".
Brovina tha se kryetari i PDK-së, njëherit kryetar i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli nuk e ka ditur rastin e fotos. Për dorëheqjen e saj nga pozita e deputetes, Brovina vlerësoi se është e gatshme të marrë çdo veprim që është në interes të Kosovës.