Intervistoi Mila Ballhysa

Është deputetja më e re e Kuvendit të ardhshëm, por njëkohësisht mund të shihet edhe si një vajzë që theu tabu, duke u përfshirë në garën elektorale në një zonë, ku dominanca mashkullore është mjaft e dukshme.

Bëhet fjalë për deputeten Andia Ulliri, një nga më të votuarat në qarkun e Durrësit, sidomos në zonën e Fushë Krujës, ku edhe ka lindur. 22-vjeçarja, studente e arkitekturës në një universitet privat, megjithëse ka vetëm pak që është përfshirë në politikë, ka nisur të ndihet shumë e plotësuar me këtë angazhim të ri.

Në një intervistë për “DurrësLajm”, Andia Ulliri rrëfen se rezultati i arritur në zgjedhjet e 25 prillit është një nga arsyet që e bën të ndihet krenare, pasi mandati i deputetes do t’i mundësojë përfaqësimin e të rinjve në Kuvendin e ardhshëm.

Propozimi për t’u bërë pjesë e garës elektorale i ka ardhur nga strukturat e PD dhe ky ka qenë një lajm shumë i bukur për Andian. Duke u ndalur tek fushata elektorale, ajo thekson se nuk u zhvillua në kushte të barabarta.

“Kushtet për bërjen e fushatës kanë qenë të pabarabarta për opozitën. Mendoj se sot, me punën e bërë, kemi arritur një rezultat shumë të mirë. Mendoj se do kishim arritur edhe më mirë nëse do të kishim pasur kushte të barabarta”,- thotë Ulliri.

22-vjeçarja sheh si një nga kushtëzimet kryesore të fushatës fashën e orës policore, e cila sipas saj është respektuar nga opozita, por jo nga maxhoranca qeverisëse, që bënte fushatë 24 orë në 24.

Angazhimi maksimal në fushatë duket se nuk e ka penguar deputeten e ardhshme të ndjekë edhe studimet, sidomos në një degë që siç pohon edhe vetë kërkon impenjim të madh. Ulliri, krejt ndryshe nga bashkëmoshatarët e saj, të impenjuar në universitet apo punë, tashmë do të ketë një përkushtim dhe përgjegjshmëri të shtuar për të ngritur në parlament zërin për të rinjtë, por edhe problematikat e zonës së saj elektorale, Fushë-Krujës.

“Mund të them me plot gojën që zëri i të rinjve nuk është përfaqësuar si duhet në parlamentin shqiptar dhe kjo nis që nga politikat dhe ligjet që janë zbatuar, tarifat studimore që paguajnë studentët si dhe kushtet e vështira që lidhen me punësimin e tyre në vendin tonë, pasi mbarojnë shkollën e lartë”,- thotë deputetja Ulliri, e cila e sheh programin e PD për rininë si një zgjidhje për frenimin e emigracionit të të rinjve dhe rritjen e punësimit të tyre.

Por si është një ditë normale e Andias, larg takimeve me elektoratin dhe angazhimit politik?

22-vjeçarja rrëfen se pjesën më të madhe të kohës ia merr studimi, për shkak se dhe dega që ka zgjedhur kërkon përqendrim dhe shumë punë. Megjithëse në një periudhë mjaft intensive të jetës së saj, Ulliri nuk ka lënë pas dore as besimin fetar. Prej 10 vitesh agjëron rregullisht muajin e Ramazanit dhe fushata e këtij viti nuk e pengoi aspak të mbante këtë obligim shpirtëror.

Kujt ia dedikon fitoren e saj në këtë fushatë të ethshme, a i trembet faktit se mund të ndihet e paragjykuar nga kolegët në Kuvend për shkak të moshës shumë të re dhe gjithashtu a ndihet gati për këtë angazhim që me siguri nuk do të jetë aspak i lehtë?

Për të mësuar përgjigjet e këtyre pyetjeve, por edhe shumë të tjera, ndiqni intervistën e plotë me deputeten më të re të Kuvendit të ardhshëm, Andia Ulliri.