26 gusht 2015 – “Linja e re, që u shpall si përmirësuese e cilësisë, të tmerron me papërgjegjshmërinë e saj”. Në një status në FB deputetja e Kuvendit të Shqipërisë Mesila Doda, me një gur vret dy zogj. Nga njëra anë kritikon italianët që shqiptarët i trajton “si qytetarë të dorës së dytë”. Së dyti, hedh një thumb opozitar ndaj Kryeministrit shqiptar Edi Rama që përuroi linjën Bari-Durrës-Bari me tragetin “Rhapsody”, ku ky i fundit u shpall “si përmirësues cilësie”.
Portali “durreslajm.com” ka botuar përmbledhje të një shkrimi të shtypit italian për rrumpallën në portin e Barit. Po ashtu ka shkruar dhe për të kaluarën e tragetit “Rhapsody”. Portali nuk ka bërë ndonjë hartim politik.
Është për t’u vënë në dukje se shënimit jo fort të qartë të parlamentares Doda, përfaqësuesit e tragetit “Rhapsody” iu përgjigjën gjerë e gjatë, duke shpjeguar se vonesa e tragetit ka ndodhur për shkak të ndihmës që iu dha një udhëtari të sëmurë rëndë. Në rastet e tjera, kur ka denoncuar media, ka heshtur.
Me këtë rast po botojmë replikën në distancë Doda-“Rhapsody”.
MESILA DODA
“Një nga eksperiencat më të shëmtuara në udhëtime kam pësuar mbrëmë [më 25 gusht 2015] me tragetin [“Rhapsody] e linjës BariDurrës të kompanisë së re GNV. Imbarkimi ka filluar rreth orës 3 e 30 të mëngjesit dhe jashtë në portin e Barit prisnin qindra gra, burra, fëmijë të mitur e të moshuar. Linja e re, që u shpall si përmirësuese e cilësisë, të tmerron me papërgjegjshmërinë e saj, dhe ajo që është më e keqja, nuk di pse shqiptarët duhet të trajtohen si qytetarë të dorës së dytë dhe autoritetet të vazhdojnë të heshtin para kësaj katastrofe. Pres, më së pakun reagimin dhe shpjegimin e autoriteteve dhe masat konkrete që duhet të merren për këtë problem që pësojnë jo një herë qytetarët shqiptarë”
“RHAPSODY”:
“Më dt 24 gusht [2015] trageti “Rhapsody” i linjës Durrës-Bari, pasi ishte nisur me 2 400 pasagjere në bord, pas dy orë udhëtimi, pati një emergjencë në bord, ku një nga pasagjerët u drejtua pranë stafit mjekësor në bord, sepse ndiente shqetësime. Pasi iu dha ndihmë e shpejtë, u verifikua gjendja e rëndë e tij dhe u njoftuan autoritetet shqiptare.
Menjëherë kapiteni i tragetit dha urdhër që anija të kthehej në port për të shpëtuar jetën e pasagjerit. Në hyrje të portit të Durrësit u morën masa nga shërbimet e urgjencës dhe policisë dhe kapitanerisë. Në pritje të tragetit dolën dy motovedeta të kapitanerisë së Durrësit së bashku me stafin mjekësor të spitalit Durrës. Në kohë rekord, për 40 minuta, u bë zbarkimi dhe transporti i pasagjerit drejt spitalit të Durrësit dhe më pas drejt spitalit Tiranë.
Pas këtij operacioni të rrallë që kryhet për herë të parë ne portin shqiptar, anijes iu dha leja për të vazhduar itinerarin drejt portit te Barit, me komplimentet e kapitanerisë shqiptare për operacionin perfekt të shpëtimit të jetës së pasagjerit shqiptar. Kuptohet që kjo shkaktoi një vonesë në orarin e grafikut të tragetit, i cili u rikuperua menjëherë ditën pasardhëse”.
/red. th. m. agjencia e lajmeve "Dyrrah"/