Fotoja e publikuar këtë të enjte gjatë punimeve të Kuvendit të Kosovës, si pasojë e dhunës seksuale në luftën e Kosovës, dyshohet të jenë pamje të marra nga një faqe internet dhe me përmbajtje pornografike. Fotografia u publikua fillimisht nga deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Flora Brovina, e cila u prezantoi deputetëve të pranishëm foton e dhunës në momentin që po diskutonin rezolutën mbi gjenocidin, krimet kundër njërëzimit dhe krimeve të luftës t ëish-regjimit shtetëror serb.
Fotografia për faktin që kishte pamje të rënda grafike nxiti mjaft reagime përfshirë këtu edhe nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës.
Zonja Brovina, në orët e mbrëmjes, ka thënë për TV Dukagjinin në Prishtinë se “është e bindur që fotografia nuk është e rreme” dhe se informacionet mbi të do t’ia dorëzojë prokurorisë.
Ajo përsëriti atë që e tha edhe gjatë publikimit të fotografisë se “viktima në fotografi është gjallë dhe gjendet në Kosovë”.