Itali, 4 maj 2014 – Ai që do të luhet sot mes Milanit dhe Interit do të jetë një nga derbit më të trishtueshëm të historisë së dy klubeve. Për këtë është e sigurt e përditshmja italiane “La Stampa”, e cila ka analizuar pikët që kanë momentalisht dy ekipet milaneze në tabelën e klasifikimit. Inter 57, Milan 51. Nëse do t’i mblidhnin pikët e dy ekipeve, ato rezultojnë gjithsej 108 në 35 javë kampionati. Pak, shumë pak është standardi për dy nga klubet më me shumë histori të Italisë. Këto të dhëna konfirmojnë një sezon zhgënjyes dhe shumë pak ambicioz.
Titulli i fundit i fituar është Superkupa e Italisë, të cilën Milani ia rrëmbeu pikërisht kushërinjve zikaltër. Pas atij momenti, dy ekipet milaneze nuk kanë arritur dot të fitojnë asnjë trofe. Zhgënjime që në këtë sezon kanë ardhur në seri si në njërin kamp ashtu edhe në tjetrin. Zikaltrit kanë qëndruar një sezon jashtë kompeticioneve europiane, kanë dalë shumë shpejt nga Kupa e Italisë dhe në kampionat kanë ruajtur me vendosmëri një vend të pestë modest.
Ndërsa kuqezinjtë kanë rezistuar në Ligën e Kampionëve deri në fazën e 1/8-ve, por më pas kanë pësuar një rënie të lirë dhe momentalisht ndodhen në vendin e 9-të, në luftë për një kualifikim për në Ligën e Europës. Shumë pak për një ekip, i cili gjatë historisë së tij të lavdishme na ka mësuar të mos kënaqemi me pak.
Kështu, ndeshja Milan-Inter, që do të luhet sot në 20:45 në “San Siro”, do të jetë një nga derbit më të varfër të këtyre viteve të fundit. Për të gjetur një precedent të ngjashëm kur dy ekipet nga Milano janë prezantuar në të tilla pozita në një derbi, duhet të shkojmë në vitin 2000/2001, kur kampionati kishte vetëm 18 skuadra. Milani në atë sezon vinte në përballjen me Interin në kuotën e 47 pikëve. Zikaltrit ishin në vendin e gjashtë me tri pikë më pak dhe totali i mbledhur së bashku nga dy skuadrat ishte 91 pikë. Disheza e milanezëve në vitet e fundit është e vazhdueshme, ndërsa e ardhmja nuk jep shumë garanci. Nga 146 pikët që së bashku të dyja skuadrat grumbulluan në vitin 2010/2011, trendi është në rënie pasi 129 ishin pikët në sezonin 2011/2012, 118 në sezonin 2012/ 2013 dhe 108 aktualisht.
Këto janë rekordet e regjistruara nga Milani dhe Interi në epokën e re, në një kohë kur derbi i “Madoninës”, i cili gozhdonte përpara ekranit tifozë nga e gjithë bota, duket se në këto vite të fundit ka dalë jashtë mode. Më poshtë janë formacionet e mundshme të të dy skuadrave:
Milan(4-2-3-1): Abbiati; De Sciglio, Bonera, Mexes, Constant; De Jong, Montolivo; Honda, Kakà, Taarabt; Balotelli.
Të gatshëm: Amelia, Gabriel, Abate, Rami, Zapata, Emanuelson, Muntari, Essien, Robinho, Poli, Pazzini, El Shaaraëy.
Inter (3-5-2): Handanovic; Campagnaro, Samuel, Rolando; Jonathan, Hernanes, Cambiasso,Kovacic, Nagatomo; Palacio, Icardi.
Të gatshëm: Carrizo, Castellazzi, Ranocchia, D'Ambrosio, Andreolli, Zanetti, Kuzmanovic, Alvarez, Taider, Guarin, Botta, Milito.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





