Një derbi të Milanos për drekë. Më 15 prill, pjata e parë e fundjavës futbollistike do të jetë pikërisht një prej sfidave më të mëdha në futbolin botëror, Inter-Milan, me Federatën Italiane që ka vendosur që kjo ndeshje të luhet në orën 12:30 duke rezervuar një kohë të pazakontë për një sfidë të tillë, magjinë e së cilës jemi mësuar ta përjetojmë dhe falë ndriçimit të mbrëmjes së “San Siros”.
Sfida do të luhet të shtunën e 15 prillit dhe shkak për këtë është bërë festa e Pashkëve katolike që përkon me datën 16 prill. Gjithsesi sa i përket orarit nuk janë dhënë detaje se pse kjo ndeshje është vendosur të luhet në mesditë duke qenë se ndryshe nga derbi i Romës, dy tifozeritë nuk paraqesin rrezikshmëri të lartë për konflikt mes tyre, gjë që mund të bënte të pamundur kontrollimin e tyre në orët e mbrëmjes. Për javën e 31-të gjithsesi është parashikuar të luhet në mbrëmje ndeshja mes Napolit dhe Udinezes. Pavarësisht orarit të pazakontë, Inter-Milan nuk e humbet aspak magjinë e tij, me këtë ndeshje që do të shërbejë dhe si një antipastë e mirë, për të hapur oreksin futbollistik në një tjetër të shtunë me emocione të mëdha në futbollin ndërkombëtar.