MILANO, 29 mars 2013 – Një 60 vjeçar shqiptar është goditur me çekiç në këmbë vetëm sepse derdhi rërën e maces. Ngjarja absurde është regjistruar dy ditë më parë në Rescaldina, provincë e Milanos. Shqiptari ka qenë duke shpërndarë fletëpalosje derë më derë, kur ka derdhur rërën para derës së një banese.
Kaq ka mjaftuar që i zoti i shtëpisë të reagonte ashpër. Ky i fundit nuk ka nguruar të marrë një çekiç e të godasë “fajtorin” duke i shkaktuar plagë të rëndë. Agresori është një 22 vjeçar, tashmë i arrestuar nga karabinierët për lëndimet e rënda shkaktuar viktimës.
60 vjeçarit i janë shkaktuar dëmtime të shumta në këmbën e majtë. Ai është shtruar në spitalin Mater Domini të Castellanza-s ku do të operohet për frakturën e pësuar.
I riu ka pranuar para karabinierëve se e ka goditur të moshuarin, por është justifikuar duke thënë se edhe 60 vjeçari e kishte sulmuar. Mbi të rëndon akuza e shkaktimit të lëndimeve të rënda.





