Nga AULONA MUSTA

Dy ditë më parë, një vajzë 15-vjeçare është rrëmbyer në shtëpinë e saj, në prani të familjarëve nga dy djem në moshë madhore, nën kërcënimin e armëve. Thuhet se vajza ka qenë e lidhur me njërin prej djemve që e kanë rrëmbyer. Ajo 15 vjeçe, ai 30 vjeç… ajo fajtore! Ai pak rëndësi ka, është burrë! Vendimi u mor nga gjykata e rrjeteve sociale! Vendimi është i parevokueshëm!

Edhe pse prokuroria paraqiti mjaftueshëm prova për fajësinë e 30-vjeçarit: rrëmbim personi, kërcënim me armë, pedofili (e tillë konsiderohet çdo marrëdhënie e një maxhoreni me një minorene), sërish juria e gjykatës së rrjeteve sociale gjykoi se provat nuk ishin të mjaftueshme për ta shpallur atë fajtor. Përkundrazi, në mënyrë unanime ata vendosën të shpallin 15-vjeçaren fajtore, me akuzën “Vetë i krruhet këtyre b*çeve të vogla që lidhen që 15 vjeç!”. Brohoritje në sallë! B*çja mori dënimin e merituar!

Është llahtarisht e frikshme të shohësh e të dëgjosh që ende sot, në vitin 2018, në një vend në zemër të Europës, vajza/gruaja vazhdon të mbetet fajtore për çdo krim që bëhet ndaj saj, edhe kur në të vërtetë është thjesht viktima. Një vajzë 15-vjeçare, e lidhur me një 30-vjeçar është vetëm viktimë! Ngado ta kthesh e ta rrotullosh, sado të përpiqesh të gjesh yçkla e t’i vendosësh epitete, një 15-vjeçare që “bie në kthetrat” e një 30-vjeçari, cilido qoftë ai, nuk është gjë tjetër veçse një viktimë.

Do ta fusni në atë trurin tuaj të vogël dhe bosh faktin që është VIKTIMË? Një 15-vjeçare, sado “t’i krruhet vetë”, sado e zhvilluar, seksi, provokuese të jetë, është ende një fëmijë, sepse nuk të bën zhvillimi motorrik të rritur, nuk të bën gjoksi i madh (që mund të ketë një 15-vjeçare, jo me zgjedhje personale) dhe as shala 2 metra, por zhvillimi psikoemocional dhe një 15-vjeçare sapo ka nisur rrugëtimin e saj drejt të qenurit e rritur. Por nuk është akoma e tillë! Për rrjedhojë, veprimet e saj, më shumë se sa të gabuara janë të nxituara, ndoshta nga vrulli i moshës, ndoshta nga shembujt e gabuar që ka pasur përreth, ndoshta nga aftësitë manipulatore të të rriturit që ka pasur në krah, prandaj nuk mundet kurrësesi të gjykohet, e aq më shumë të dënohet!

Është llahtarisht e frikshme të shohësh e të dëgjosh që ende sot, në vitin 2018, “shkelja e moralit” nga ana e një gruaje konsiderohet si krim shumë më i rëndë sesa “shkelja e ligjit” nga një burrë. Jo vetëm që vazhdojmë të kemi dy standarde gjykimi kur bëhet fjalë për çështjet e moralit që prekin burrat e gratë, por kemi dy standarde gjykimi edhe kur bëhet fjalë për shkeljet e ligjit. Unë e di që përballë ligjit jemi të gjithë të barabartë, pa ndarje gjinore, ama për shumë shqiptarë kjo nuk është e vërtetë. Mjafton të lexosh komentet nëpër rrjetet sociale, dhe jo, komentet nuk janë disa raste të veçuara njerëzish injorantë. Komentet përbëjnë mendësinë e shumicës së një populli që e ka më të thjeshtë të bëjë me faj një vajzë 15-vjeçare që dashurohet dhe rrëmbehet nga një 30-vjeçar, se sa ta shohë atë si viktimë, siç në të vërtetë është.

Dhe kjo mendësi duhet të ndryshojë sa më shpejt! Më besoni, është URGJENTE, në të kundërt do të vazhdojmë të prodhojmë viktima, të cilat po vetë ne do t’i tregojmë me gisht si fajtore! /Blitz.al/