Kthimi i Shqipërisë në një destinacion të preferuar turistik ka ndikuar dhe tregun e pasurive të paluajtshme në bregdet. Këtë vit, pas një stepjeje të përkohshme gjatë periudhës së pandemisë, tendencë është blerja e shtëpive nga shtetasit çekë, polakë, shqiptar të Kosovës dhe nga emigrantë, ku zona më e preferuar është Qerreti i Kavajës, sipas përfaqësuesve të agjencive të pasurive të paluajtshme.

Arsyet e rritjes të kërkesës janë çmimet e favorshme që mundësojnë financimin për të pasur apartament në bregdet në ndërtimet e reja. Kërkesa është e lartë edhe për shtëpi në zonën e Golemit, por me hapësirë 1+1 dhe me çmime deri në 35 mijë euro. Për shkak të pamundësisë të zhvillimit të kësaj zone me ndërtime të reja çmimet nuk kanë ndryshuar.

Edhe pandemia ka ndikuar në tregun e pasurive të paluajtshme në vend, duke e zhvendosur gjithashtu preferencën për katet e para të pallateve 2-3-katesh në komplekset rezidenciale, si “San Pietro”, “Vala Mar” dhe “Lura” në Gjirin e Lalëzit në Durrës. Kërkesa për këtë tipologji ndërtesash dhe vila është orientuar më tepër nga banorët e Tiranës dhe emigrantët që kërkojnë të shfrytëzojnë gjelbërimin para ndërtesës apo dhe të kenë më tepër privatësi.

Në qytetin bregdetar të Sarandës rritja mesatare e çmimeve është 17% krahasuar me një vit më parë. Agjencitë real estate pohojnë se arsyeja kryesore e ndryshimit të çmimit është rritja e taksave. Edhe pse shtetasit e huaj zënë 80% të kërkesës për prona, apartamentet me çmimet e larta deri në 3 mijë euro në Sarandë po blihen nga shqiptarët.