Masa të shtuar të policisë Durrës në kuadër të mbërritjes në vendin tonë të mijëra tifozëve të ekipeve të Romës dhe Feyenoord-it, të cilët do të ndeshen nesër në Tiranë, në finalen Conference League.

Mëngjesin e sotëm, në portin e Durrësit kanë mbërritur 35 tifozë të Romës me traget, ndërsa të tjerë tifozë që kanë ardhur përmes aeroportit të Rinasit janë akomoduar në hotelet e qytetit bregdetar.

Sipas drejtorit të policisë së qarkut Durrës, Neritan Nallbati, deri në darkë në Durrës pritet të mbërrijnë 700 tifozë të të dy ekipeve, ndërsa mëngjesin e së mërkurës ata do të shoqërohen nga forcat e policisë drejt kryeqytetit, ku do të ndjekin ndeshjen në stadium dhe Fun Zone.

“Deri tani nuk kemi pasur asnjë incident mes tifozerive”,- tha Nallbati, i cili konfirmoi se në Durrës dhe Tiranë ndodhen edhe kolegë nga policia italiane dhe holandeze.

Finalja e Conference League, kompeticionit të UEFA-s që do të zhvillohet në Tiranë më 25 maj pritet të sjellë rreth 90 mijë tifozë nga Italia dhe Holanda.