Masa e freskët ajrore që erdhi nga veriu i Europës do të qëndrojë në territorin shqiptar deri ditën e premte. Megjithatë moti i kthjellët dhe intervalet e gjata me diell do të jenë të pranishme përgjatë gjithë javës.
“Jemi rreth vlerës së temperaturave 32, 33 gradë Celsius, në ndonjë zonë të caktuar edhe pak më e lartë. Duke qenë se era do të jetë kryesisht veri – verilindore, është një erë e ftohtë, kjo e bën që ta ndjejmë në mëngjes dhe në mbrëmje”, shprehet meterologia Lajda Porja për tv klan.
Situata pritet te ndryshojë shpejt me rikthimin e masave të nxehta në fundjavë.
“Do të kemi masat ajrore që vijnë nga veriu i Afrikës, ndaj ne presim nga fundjava, të tjera ditë te nxehta me temperatura shumë herë më te larta krahasuar me çfarë do të kemi deri të premten”, thotë Porja.
I nxehti që e përfshiu vendin në mesin e muajit Qershor konsiderohet nga sinoptikanët si një nga valët më të gjata të viteve të fundit. Temperaturat arritën deri ne 39 gradë Celsius në zona të caktuara.