Me ndryshimin e stinës, lëkura është mjaft e ekspozuar ndaj rrezeve diellore të cilat sa vijnë e bëhen më intensive, ndaj kërkon një kujdes më të madh krahasuar me stinën e dimrit kur kamuflohej nga veshjet e gjata dhe të trasha.
Për këtë arsye, mjekët dermatologë këshillojnë që të përdoret kremi mbrojtës nga dielli gjatë gjithë vitit, ndërsa e theksojnë më fort gjatë muajve që temperatura rritet.
Dermatologia e njohur në qytetin bregdetar, Xhiliola Kovaçi-Doçi këshillon që në këtë periudhë të përdoret një krem mbrojtës solar, me filtër minimalisht 30 dhe ky filtër të ketë të përfshirë të dy spektret e rrezatimit; UVA dhe UVB. Sipas mjekes dermatologe, për të siguruar mbrojtje maksimale e rëndësishme është edhe sasia e kremit që ne aplikojmë në lëkurën tonë apo koha e riaplikimit.
Duke u ndalur te përmbajtja e tyre, Kovaçi-Doçi thotë se “ata që na mbrojnë më shumë janë kremrat solar që kanë brenda oksidin e zinkut ose oksidin e titaniumiut, që përvec mbrojtjes kimike realizojnë edhe një barrierë fizike ndaj rrezatimit diellor.”
Një nga gabimet më të shpeshta që individë të shumtë bëjnë është përdorimi i kremit që ka tepruar prej vitit të kaluar. Mjekja dermatologe tregon se kremi e humbet efikasitetin e tij nëse është hapur 6 muaj më parë, duke mos siguruar mbrojten e nevojshme të lëkurës nga dielli.
Ashtu siç nuk e siguron edhe përdorimi i fondotintave me filtër mbrojtës nga vajzat e reja, thekson Kovaçi-Doçi.
“E para sepse nuk është e mjaftueshme, e dyta sepse filtrat mbrojtës në fondotinta nuk janë fotorezistente, që do të thotë që ato dëmtohen nga ekspozimi në diell dhe nuk janë aq mbrojtëse sa pretendojmë.”
E këshillueshme nga mjekja dermatologe është që në këtë periudhë, rutinën tonë të kujdesit ndaj lëkurës ta bëjmë më të lehtë, dhe kjo gjë arrihet duke kombinuar produktet. Një dhuratë e mirë për lëkurën tonë do të ishte edhe shtimi i një serumi me vitaminë C.
“Është një produkt edhe antioksidant mjaft i mirë por edhe na frenon dëmin oksidativ, dëmin nga rrezet e diellit, na frenon pigmentimet dhe na siguron përshpejtim të ritmit të formimit të kolagjenit.”
Krahas këshillave të lartpërmendura, nuk duhet të harrojmë edhe përdorimin e kapeleve dhe syzeve të diellit si dhe evitimin e ekspozimit në pikun e rrezeve nga ora 10 e paradites deri në orën 16 të pasdites.
Gertjana Daçi