Kjo javë ka qenë shumë e ngarkuar për regjisoren Driada Dervishi, e cila bashkë me stafin e aktorëve ishte shumë e impenjuar duke bërë provat e fundit para premierës së komedisë “Stjuardesat”. Ndërsa puna vijonte për përgatitjen e skenografisë, vendosjen e ndriçimit dhe detajet e fundit që mbesin ende për t’u përfunduar para vënies në skenë, regjisorja Dervishi na zbardhi në një intervistë për gazetën “Dyrrah” përsenë e zgjedhjes së një komedie kaq të njohur në mbarë botën si dhe elementët e rinj me të cilët do të vijë kjo farsë franceze. Kujtojmë këtu që vite më parë, regjisori i njohur Gëzim Kame e ka vënë për herë të parë në skenë këtë pjesë, por regjisorja Dervishi premton një konceptim komplet ndryshe. Komedia do të jetë plot dritë, të qeshura dhe energji pozitive, kaq të nevojshme në këto kohëra me mjaft probleme ekonomike dhe stres të vazhdueshëm. Aktorët, pjesa dërmuese e të cilëve janë nën 30-vjeç, do të kërcejnë e këndojnë live në skenë duke e bërë njëkohësisht më impenjative paraqitjen e tyre skenike. “Kur punohet me pasion dhe dëshirë gjërat dalin bukur”,- prandaj thotë Dervishi,- uroj që komedia të pritet mirë nga artdashësi durrsak”.

Driada pse keni zgjedhur komedinë e Marc Camelotti-t, “Stjuardesat”, si premierën e parë që do të vihet këtë vit në skenën e teatrit “Aleksandër Moisiu”?

Jemi në pranverë dhe si çdo herë kur ngrohet koha të gjithë ne kemi nevojë për një shkundje nga një dimër i gjatë. Zgjodhëm një komedi, sepse është ky zhanër që tërheq më shumë publikun në këtë periudhë. Zgjodhëm komedinë e autorit francez Mark Kameloti, sepse ajo është një farsë që ka se çfarë të thotë, argëton publikun e njëkohësisht nxjerr disa fenomene të shoqërisë në pah. Është një komedi që ka shumë ngjyra, shumë intensitet, shumë energji dhe mendoj se është zgjidhja e duhur për të lënë pas streset e një dimri të gjatë, të ftohtë e me shumë kriza. “Stjuardesat”, titulli origjinal i së cilës është “Boeing Boeing” është një farsë mjaft e suksesshme në të gjitha vendet ku është shfaqur, numëron rreth 13.400 shfaqje në të gjithë botën. Gjysma e suksesit të një vepre teatrore është “brumi”, pra teksti dhe për këtë unë zgjodha “Stjuardesat”.

Vite më parë, kjo komedi është vënë në skenë nga regjisori Gëzim Kame. Cilët janë elementët e rinj që do të sillni ju nga varianti i parë shqiptar i saj?

Komedia “Stjuardesat” do të ketë një trajtim komplet ndryshe dhe kjo është e bukura e pjesëve teatrore që vihen dhe rivihen në skenë, pasi secili regjisor sjell këndvështrimin e tij në skenë, në bazë të asaj që ai percepton dhe thith në momentin kur lexon pjesën. Të përbashkëtat mund të them që janë shumë pak, pasi mënyra e trajtimit është totalisht ndryshe. Unë jam shumë e kënaqur me stafin e aktorëve, pasi është mbledhur një gjashtëshe shumë simpatike, ka shumë energji, shumë plastikë, dëshirë për të punuar. E veçanta tjetër e kësaj pjese do të jetë se aktorët edhe kërcejnë, edhe këndojnë live. Në një farsë përfshihen të gjitha gjinitë dhe aktorët kanë arritur t’i përvetësojnë mirë të gjitha këto gjini. Një rëndësi e veçantë i është kushtuar lëvizjeve mizanskenale duke i dhënë shumë rëndësi figurës dhe mjeshtërisë së aktorit.

Pjesa më e madhe e trupës aktoriale në këtë pjesë janë aktorë të rinj. Si është të punosh me të rinjtë?

E bukura e të punuarit me të rinjtë është se ka gjithnjë energji të re, por në të njëjtën kohë ka një sfidë brenda, sepse duhet llogaritur këtu mungesa e eksperiencës. Gjithsesi, unë nuk frikësohem nga kjo gjë, pasi kjo është komedi dhe të rinjtë vetë ndihen shumë rehat me personazhin që interpretojnë. Them se është punuar me shumë dëshirë e me shumë pasion, pasi është një pjesë që perceptohet më lehtë. Duke qenë se në qendër të pjesës është një i ri që ka tre të fejuara njëkohësisht, djemtë që interpretojnë në këtë komedi u ndien mirë me rolin, kjo dhe për faktin se në moshë të re është dëshira e të gjithëve që të kenë sa më shumë njohje dhe lidhje me femra të bukura. Do doja të veçoja këtu edhe tre aktoret që interpretojnë stjuardesat, që secila në rolin e saj kanë krijuar nga një karakter të bukur duke sjellë një franceze, një gjermane e një amerikane. Ndërkohë nuk do lija pa përmendur aktoren Sanie Hoti, që interpreton rolin e shërbëtores, por, edhe pse jo në të njëjtën moshë me pesëshen e aktorëve të rinj, të befason me energjinë që transmeton në skenë.

Sa përshtatet kjo komedi me realitetin shqiptar?

Unë them se kjo komedi qëndron në çdo vend ku shfaqet. Komedi si “Stjuardesat” mund të them se kanë brenda temën universale dhe i flasin çdo publiku. Trajton një fenomen që e has kudo, atë të një djali që i ka shumë qejf vajzat dhe kjo është një gjë që ndeshet kudo dhe në çdo kohë. Marifeti i Bernardit është që të fejuarat i ka gjetur stjuardesa, gjë që i krijon atij komoditetin që ato të mos takohen kurrë dhe ai të vazhdojë i qetë jetën poligame. Edhe kur zbulohet marifeti i përdorur prej tij ai nuk ndëshkohet, por siç ndodh në farsë ka gjithnjë një zgjidhje Deus ex machina dhe gjithçka përfundon mirë e bukur për të gjithë. 

 

REKORDI

Komedia “Boeing Boeing” në Guiness

Komedia franceze ka për autor Marc Camelotti-n, i cili e përfundoi veprën në vitin 1960 dhe që nga viti 1991 “Stjuardesat” është futur në librin e rekordeve “Guinness” si komedia franceze më e shfaqur në botë, pasi ka ardhur para publikut për më se 13.400 herë. Që nga vënia e saj për herë të parë në skenë në vitin 1962, komedia ka njohur një sukses të padiskutueshëm kudo nëpër botë. Në Londër kjo komedi u shfaq për 7 vjet rresht në teatrin “Apollo”, duke numëruar më shumë se 2000 performanca. Pjesët e Camoletti-t janë shfaqur në gjuhë të ndryshme në rreth 55 shtete. Vetëm në Paris, 18 nga pjesët e tij numërojnë rreth 20.000 shfaqje në skenë. Ndonëse një farsë franceze, me temën që trajton del jashtë kufijve të vendit ku është shkruar. Rreth 10 vjet me parë kjo komedi, e përkthyer nga Nasi Lera në shqip, është shfaqur me mjaft sukses edhe në Teatrin Kombëtar me regji të Gëzim Kames.