ANGLI– Për pjesën më të madhe të 21 vjeçareve një vizitë në një qendër estetike, apo një mbrëmje e kaluar në teatër janë gjëra të lezetshme për t’u bërë në fundjavë. Por për Stephanie Knight këto janë dëshirat e fundit, para se të ndahet nga jeta.

Studentja nga Hertfordshire ka luftuar me kancerin që nga mosha 17 vjeç, por në ditët e para të këtij viti mësoi se tashmë po jeton ditët e fundit të jetës së saj.

Për këtë ajo vendosi të bëjë një listë me gjërat që do të bëjë në muajt e fundit. Një nga dëshirat e saj është të martohet.

“Ajo gjithnjë ka dashur të martohet dhe të ketë shumë fëmijë, por është e vështirë të kesh një partner, ndërsa po kurohesh nga kanceri, megjithëse je një vajzë shumë e bukur”,- thotë motra e saj.

Përsa kohë nuk mund të realizojë këtë gjë Stephanie dëshiron të paktën të veshë fustanin e bardhë dhe të zhvillojë një ceremoni martesore, pavarësisht se s’do të jetë e vërtetë.

“Ne kemi planifikuar ta bëjmë dasmën. Miqtë e saj kanë rënë dakort për të marrë edhe një striptist, nëse Steph e dëshiron një gjë të tillë”,- thotë e motra.

Ajo rrëfen se Stephanie ishte shumë e vogël për të marrë pjesë në dasmën e saj, ndërkohë që kur është martuar motra tjetër ajo ishte nën trajtim mjekësor.

Shumë nga dëshirat e fundit të vajzës kurajoze, që e humbi betejën me kancerin janë modeste. Ajo dëshiron të përfundojë kursin për infermiere, apo të shijojë një perëndim dielli, në një vend të bukur.