Gjykata e Durrësit vendosi sot masën e sigurisë “detyrim paraqitjeje” për efektivin e policisë, Sherif Hajdari i cili akuzohet se çoi drejt vetëvrasjes bashkëshorten, Merita Hajdari dy ditë më parë.

47- vjeçarja Merita Hajdari dyshohet se u vetëvra në prezencë të të shoqit dhe familjarëve të tjerë në oborrin e shtëpisë. Shkak, sipas dëshmisë së dhënë nga efektivi i Policisë Sherif Hajdari, është bërë një debat i momentit mes tyre.

"Ishim duke debatuar për gjëra të përgjithshme në familje. Nuk kishim ndonjë debat specifik, të paktën jo për motive të dobëta. Unë jam i sëmurë dhe mjekohem për tensionin e lartë. Ishte ora rreth 13.00 dhe siç thashë po debatonim me njëri-tjetrin. Aty ishte kunata ime (nusja e vëllait) dhe familjarë të tjerë, pasi kemi një shtëpi 3-katëshe dhe jeton aty edhe vëllai im me familjen. Llaf pas llafi, "jo kështu po ashtu", debati mori përmasa të tjera. "Kush je ti, kush jam unë", "jo ti po unë". Kështu muhabetesh, në dukje pa rëndësi, por që prodhonin debate. Kur ndërkohë që dolëm përjashta, Merita shkoi në dhomën tonë të gjumit, mori pistoletën time dhe doli në oborr ku ndodheshim ne të tjerët. Aty drejtoi pistoletën në kokë dhe qëlloi veten. Sa e pashë që kishte pistoletën në dorë, i thërrita "mos, mos", por ndërkohë ajo e shkrepi pa më dhënë mundësinë t’ia hiqja nga dora. Kjo është dinamika e ngjarjes. Nuk kishte ndonjë arsye madhore për të ndërmarrë aktin e rëndë. Jemi shumë të dëshpëruar pasi unë humba bashkëshorten, ndërsa djemtë e mi nënën e tyre", ka deklaruar ndër të tjera efektivi para kolegëve të tij në Drejtorinë e Policisë së Durrësit.