Tiranë, 11 shtator 2014 – Ish-truproja e Sali Berishës, Izet Haxhia rrëfehet për herë të parë në DITA pas 15 vitesh arrati.
Në një intervistë me të dërguarën e DITA-s në Turqi, Mira Kazhani, ish-njeriu i afërt i Berishës tregon vitet me liderin e PD, raportet me familjen Berisha, me politikanët e PD dhe ata që sot janë në pushtet.
Haxhia pranon se nuk ka qenë engjëll, se ka qenë njeri i dhunshëm, por ai shton se është penduar. Izet Haxhia sjell për herë të parë një dëshmi të rrallë mbi vrasjen e Hajdarit, vrasje për të cilët akuzohet edhe ai vetë si bashkëpunëtor.
Haxhia jeton sot në një qytezë turke. Ai nuk ka mundur të fitojë azilin politik nga shteti turk por edhe nuk është ekstraduar për në atdhe. Aktualisht është 49 vjeç dhe nga Shqipëria është larguar në vitin 1999 bashkë me familjen e tij, e cila prej vitesh është rikthyer në Tiranë për mungesë të dokumentacionit.
Për Kazhanin, Haxhia rrëfen se ka humbur besimin tek idhulli i tij i viteve -90 Berisha, por jo tek Zoti sot. Ai falet çdo të premte në xhami.
I pyetur për një kthim të mundshëm në Tiranë, Haxhia përlotet dhe nuk e vazhdon më intervistën. Intervista dy orëshe do të publikohet në variantin print por edhe video në DITA.
Nesër do të publikohet pjesa e parë e kësaj interviste e cila është e përqëndruar në vitet e para të njohjes me Berishën dhe familjen e tij. Në ditët pasuese do të vijnë detajet për dosjen Hajdari, dosjen Tropoja, bombën e vendosur tek VEFA.
Një dëshmi e rrallë ku përfshihen emra dhe detaje të cilat nuk janë artikuluar kurrë as nga politika, as nga drejtësia dhe as nga media dhe që të bëjnë të kuptosh më mirë disa nga pse-të më të rëndësishme të Shqipërisë së pas viteve ’90.





