Eksperti i Kriminalistikës Ervin Karamuço ka deklaruar se ka dyshime se çështja Dumani mund të dështojë.

Ai tha se hetimet që janë kryer fillimisht nuk kanë qenë të plota ndërsa shtoi në ABC se elementët e tjerë që nga korrupsioni apo paaftësia mund të çojnë në dështim.

Sipas tij, tashmë po ndodh një përplasje e madhe mes të penduarve dhe heshtja që ka pasuar dëshmitë e bujshme nuk është më premtuese.

“Hetimet që janë kryer fillimisht nuk kanë qenë të plota. Kur fillon hetimet pasi e ke arrestuar, hapësira, korrupsioni, paaftësia të gjitha këto çojnë që ne kemi dështim. Unë kam frikë se mund të na dështojë edhe kjo çështja Dumani. Aty diçka po ndodh. Një përplasje shumë e madhe po ndodh mes të penduarve. Kjo heshtje nuk është premtuese. Unë prisja arrestime të tjera.

Janë thënë shumë informacione, por për shkak se të tjerët nuk e pranojnë, kanë çuar në një dyshim të institucioneve nëse janë të vërteta apo jo. Ky ngadalësim nuk është premtues. Kjo i jep kohë grupeve kriminale dhe mund të japë shumë më tepër”, u shpreh eksperti.