Burimet policore në Durrës bënë me dije se Martin Haxhija, 41 vjeç, me origjinë nga Lezha, është arrestuar për llogari të policisë së Lezhës, i shpallur në kërkim më 5 prill, pas denoncimit të vajzës minorene. Policia bëri me dije se specialistët e Seksionit kundër Trafiqeve të Paligjshme në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës, bënë të mundur kapjen e 41-vjeçarit, në kërkim, banues në Durrës, pasi më datë 05.04.2016, është shpallur në kërkim nga Drejtoria Vendore e Policisë së Qarkut Lezhë, për veprat penale “Marrëdhënie seksuale ose homoseksuale me të mitur” dhe “Shtrëngimi apo pengimi për të bashkëjetuar ose për të lidhur apo zgjidhur martesë”. Haxhija, më anë të dhunë psikologjike ka detyruar shtetasen G.Gj. 15 vjeçe, të bashkëjetojë me të në banesën e tij në Durrës, për rreth një javë, ku dhe ka kryer me këtë shtetase marrëdhënie seksuale.
Denoncimi:
Denoncimi ka shkaktuar jo pak shok tek oficeret e policisë së Lezhës, më 5 prill, 10 ditë më parë. Burime nga policia e Lezhës bënë me dije se 41-vjeçari Martin Haxhija është denoncuar në polici nga 15-vjeçarja. Në denoncim, minorenia i kërkoi policisë mbrojtje.
“Më fejuan pa dëshirën time. Martini erdhi në shtëpi e më kërkoi dorën për nuse. Prindërit ishin dakord, unë nuk e doja. Nuk e dua. Pasi më fejuan, më mori në shtëpi e më ka mbajti një jave me njerëzit e familjes së tij. Kreu marrëdhënie seksuale me mua. Unë nuk doja. Më pas i thashë që nuk të dua, por më tha se të vras e nuk të lëshoj nga duart. Më merrte në telefon e më thoshte do të të vras. Unë kam frikë se mos më çon prostitutë jashtë vendit! Më ndihmoni se kam frikë prej tij”, u ka kërkuar 15-vjeçarja policisë së Lezhës.
K.H.





