Esat Dushaj ka treguar në polici detaje të momentit kur qëlloi dy vëllezërit Skënder e Abdullah Shkami, në Drishtë të Shkodrës dhe se si e organizoi atentatin ndaj tyre.

“Unë i kam pritur derisa të vijnë nga Anglia. Kur ka ardhur Skënderi jam ruajtur pak, se kisha frikë se mund të më vrasin ata mua. Shtëpia ime me nënën e tyre është afër dhe kam pritur derisa kanë ardhur aty te nëna e tyre. Sapo kanë dalë, kam marrë automatikun që e kisha dhe kam qëlluar mbi të dy vëllezërit. Fillimisht nuk e dija nëse kanë vdekur apo jo, por i kam parë të shtrirë në tokë dhe jam larguar nga aty”, ka thënë ai në rrëfimin e tij në polici, të zbardhur nga gazeta “Panorama.

“Vendosa të dorëzohem në mënyrë që policia të mos më vriste. Po ashtu kam ikur në Tiranë, sepse doja garanci për jetën. Vetëm pasi kam marrë këtë siguri nga policia e Tiranës, atëherë jam vetëdorëzuar”, ka vijuar Dushaj në rrëfimin e tij.

Autori i kësaj ngjarjeje të rëndë nuk ka shfaqur pendesë. Ai ka treguar se i vrau dy vëllezërit për shkak se ata i kishin refuzuar fejesën me vajzën e Skënderit.

“I kam vrarë sepse kohë më parë unë kam pëlqyer vajzën e Skënderit. I kam dërguar disa herë njerëz për t’i kërkuar dorën e saj, por më kanë kthyer përgjigje negative. Kam folur në telefon me Skënderin para se të vinte nga Anglia dhe më ka dhënë sërish përgjigje negative. Më pas, edhe kemi shkëmbyer sharje në telefon dhe më ka kërcënuar. Duke pasur frikë se mund të më vrasin, atëherë i kam vrarë unë”.

Nëse vajza e viktimës Skënder Shkami ia ka kthyer pozitivisht ndjenjat që ai kishte për të, Esat Dushaj nuk ka pranuar të përgjigjet duke thënë se s’kishte dëshirë të fliste për këtë temë.

Dushaj ndodhet tani në policinë e Shkodrës, nën akuzën për vrasje të shumëfishtë me paramendim. Policia po punon ndërkohë për të gjetur personat që mund ta kanë ndihmuar për të lëvizur nga Shkodra drejt Tiranës, pasi pavarësisht se ai nuk ka treguar asnjë emër, policia dyshon te kjo dëshmi.

Më poshtë, dëshmia e dhënë në polici, e zbardhur nga gazeta “Panorama”.