6 nëntor 2015 – Pas dëshmive të reja tronditëse të ish-oficerit të lartë të antidrogës Dritan Zagani, transmetuar mbrëmë në emisionin “Opinion”, sekretari i Përgjithshëm i PD-së Arben Ristani, ka dalë në një deklaratë për mediet, duke thënë se qytetarët dhe mbarë opinioni publik janë tronditur, pasi shteti i tyre ka rënë dhe tashmë janë në duart e mafies.
“Shqiptarët mësuan se si një nga bandat më të rrezikshme të drogës në Shqipëri, ka imunitet dhe bashkëpunim me struktura të policisë së shtetit. Shqiptarët mësuan se lidhjet e forta politike të këtij grupimi kriminal bëjnë që të zhduket çdo informacion për ta dhe të mbyllet çdo hetim për ta. E gjithë puna e oficerit të antidrogës jo vetëm është sabotuar, por kërkimet dhe të dhënat e mbledhura prej tij i janë dorëzuar vetë bandës, e cila më pas ka kërcënuar me jetë Zaganin”, deklaroi Ristani.
Sipas deputetit demokrat, kjo skemë mafioze, ky sundim i mafies, ka një emër: Saimir Tahiri.
“Dëshmia e oficerit është me fakte konkrete, me emra, me data. Informacioni që ka nisur oficeri tek eprorët e tij flet për ngarkesa masive droge, për hashash, kokainë, për miliona euro. Por asnjëherë nuk nisi një hetim zyrtar për Habilajt apo Arben Dalipin, të gjurmuar, një punë e materializuar nga oficeri Zagani me prova konkrete.
Nuk kish si të niste një hetim, sepse Habilajt kanë kapur policinë, Habilajt kanë ministrin e Brendshëm.
Si mund të hetojnë oficerët e policisë lidhjet kriminale të ministrit të tyre?
Kjo përfshirje kriminale e ministrit të brendshëm në trafiqe, dhe kjo krenari kriminale e Edi Ramës për të, është një thirrje për qytetarët për t’i dhënë fund pushtetit të mafies”, tha Ristani.
/S.L. portali DurresLajm/