Tiranë, 15 korrik 2014 – Duke marrë shkas nga intervista që një gazetare e të përditshmes “Dita” zhvilloi me të dënuarin me burgim të përjetshëm Jaho Mulosmani, gazeta në fjalë analizon se nëse do të rihapej dosja Hajdari kush nga dëshmitarët e asaj kohe do të thirrej për të dëshmuar.

Sipas “Dita”,i pari në listën e personave që duhej të pyeteshin dhe në detaje madje, duhej të ishte Sali Berisha. Ai në asnjë moment nuk ka rrëfyer dijeninë apo rolin, aktivitetin, telefonatat dhe kontaktet e tij me Azemin, ditën që u vra, por sidomos komunikimin mes tyre pak minuta përpara se Azemi të dilte nga selia e PD-së.

Nëse i referohesh dëshmisë së Jaho Salihit, i vetmi person që ka qenë dëshmitar i këtij komunikimi mes Berishës dhe Hajdarit atë natë, është ish-sekretarja e Berishës. Që është e ndjera Linda Ihsani, e cila ndërroi jetë vitin e kaluar për shkak të një sëmundje.

I treti në listë me siguri do të ishte, ish-truproja i Hajdarit, Zenel Neza, i cili ndodhet nën azil politik jashtë vendit dhe rezulton se dhe gjatë hetimit të parë ka bërë çdo përpjekje për të mos folur drejtpërdrejtë për ato që dinte dhe ato që kishte jetuar natën e vrasjes.

Personi i katërt është ish-truproja i Berishës, Izet Haxhia. Ai ndodhet nën azil politik gjithashtu, në Turqi, pasi ka fituar me gjyq atje të drejtën për azil dhe për t’u strehuar. 

/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/