Tiranë 12 maj 2014 – Një dëshmi e re, që bie ndesh me versionin e policisë është bërë për BalkanWeb nga një dëshmitar okular. Ai quhet Lenci, një djalë i ri që thotë se ka qenë aty që në momentin kur avioni u shfaq dhe u rrëzua në rërën e plazhit. Sipas tij, avioni që u rrëzua në Divjakë ka pasur ngarkesë me vete të cilën e morën disa persona me makina, ndërkohë që Ministria e Brendshme theksoi se ngarkesa në makina do të ngarkohej në avion.
Lenci ka realizuar foto në çastin kur avioni është rrëzuar në rërën e Divjakës. Djaloshi ka frikë, nuk dëshiron të identifikohet si dëshmitar okular. Por ai vë në dispozicion të BalkanWeb këto foto që dëshmojnë çfarë ndodhi pak çaste pas rrëzimit së avionit tip ‘Piper’. Në foto vihen re qartë disa persona që mbajnë në duar çanta të zeza. Dhe personat janë të veshur me të zeza gjithashtu. Ndërsa një automjet tip ‘Golf’ qëndron pak metra larg avionit.
Selfollari: Çantat e shfaqura në foto janë të pilotit italian
“Çantat që duken në fotografitë e publikuara në janë të pilotit italian, janë sekuestruar dhe ndodhen në Prokurori”. Deklarata u bë nga Shefi i Sektorit të Antitrafikut, Sokol Selfollari. Sipas tij, në vendin e ngjarjes nuk ka pasur makina të tjera dhe makina me targa Elbasani që duket në foto është e një efektivi policie.
“Duke marrë shkas nga komentet e disa gazetarëve në mediat e ndryshme lidhur me ngjarjen në zonën e Divjakës ku u bllokua avioni dhe rreth disa foto të bëra publike në disa media. Çantat e shfaqura në foto janë çantat e pilotit të aeroplanit shtetasit italian dhe janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale nga policia dhe ndodhen në Prokurori. Kjo është një foto e çantave personale të pilotit. Në çantë ka pasur dhe sende të tjera si manuale të avionit, licenca dhe sende të tjera. Të cilat janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale. Makina është makina e punonjësit të policisë të stacionit Divjakë Arben Sima, personi i dytë është efektiv policie. Është edhe piloti.”- deklaroi Selfollari.
I pyetur për makinat që kanë transportuar çantat ai është përgjigjur se nuk ka pasur makina të tjera. “Nëse nisemi nga fotot aty nuk shikojmë asnjë makinë shohim vetëm një makinë të një dëshmitari. Këta dëshmitarë do pyeten. Nuk na rezulton të ketë pasur tre -katër makina që të kenë zbritur çanta. Nga hetimi i deritanishëm nuk na rezulton kjo gjë.”- u shpreh Selfollari. Më tej ai thekson se përkushtimi ndaj të vërtetës duhet të jetë e vetmja arsye jo vetëm e institucionit por edhe e medias.
/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/





