Tiranë, 28 qershor 2014 – Skena e vrasjes së bashkëpronarit të grupit mediatik "Focus Group", Artan Santo, është parë nga shumë persona, të cilët, mëngjesin e së enjtes kanë qenë duke pirë kafe në lokalet e zonës së ish-Bllokut, kanë nxituar për në punë apo kanë qëlluar rastësisht në atë rrugë. Por, "Gazeta Shqiptare" ka mundur që të kontaktojë me një dëshmitar okular, i cili ka parë të gjithë skenën e ngjarjes së ekzekutimit të 58-vjeçarit. "Kam qenë në një kafe pranë vendit të ngjarjes në momentin që dëgjova tri krismat e para.

Pashë dy persona të hipur në një motor të madh, njëri prej të cilëve kishte drejtuar pistoletën ndaj Santos dhe vazhdonte ta qëllonte. Tek gjuajtja e gjashtë, atij iu bllokua arma. Kur unë dola nga lokali, e pashë Santon të shtrirë në tokë. Në fund dy autorët e qëlluan tri herë mbrapa shpinës. Dy personat nuk zbritën fare nga motori, e qëlluan nga një distancë e afërt dhe u larguan me shpejtësi. Autorët m'u dukën trupa mesatarë, por nuk arrija t'i shihja mirë, sepse ishin të ulur në motor. Polici rrugor ka qenë rreth 20 sekonda larg tyre. Nuk e kuptova se pse nuk lajmëroi kolegët e tjerë, sepse kishte mundësi që t'i lajmëronte në kohë për kapjen e autorëve. Më pas ka dalë edhe roja i bankës me automatik në dorë, por nuk ka mundur që të veprojë", – sqaron dëshmitari okular që ka parë skenën e vrasjes mafioze të biznesmenit Artan Santo.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/