Detaje të reja kanë dalë nga dosja e vrasjes së biznesmenit të drurit, Arben Hasa, mbrëmjen e 2 dhjetorit, në Shkallë të Manzës.
Prokuroria e Durrësit do të kërkojë sot në gjykatë masën e sigurisë “arrest me burg” për 43-vjeçarin Miran Tila, i akuzuar si autor i krimit. Në kërkesën për masën e sigurisë që i është dërguar gjykatës, pohohet se nga hetimet ka rezultuar që dy “shokët” janë grindur edhe pak minuta para se të ndodhte krimi.
Dëshmitarë kanë deklaruar për grupin hetimor se natën e ngjarjes, rreth orës 20:30, Arben Hasa ka ndaluar me automjetin e tij, ku brenda kishte dhe një person tjetër, shkruan sot Panorama.
“Arbeni ka dalë nga makina dhe shante e i bërtiste personit që ishte brenda duke e ofenduar atë dhe duke i thënë të zbriste poshtë. Pas disa minutash, Arbeni ka hipur në makinë dhe është larguar në drejtim të Manzës”, janë shprehur dëshmitarët.
Ata nuk e kanë përcaktuar se kush ishte brenda në makinë, por nga lidhja e episodeve, grupi i hetimit ka dalë në konkluzionin se brenda ishte autori.
Në deklarimin e tij, autori Miran Tila ka deklaruar se vrasjen e Arbenit e kishte kryer ai, pas dhunës dhe fyerjeve. “Më datë 2 dhjetor e kam marrë në telefon Arbenin dhe i thashë që të më çonte në shtëpi me makinë. Nuk kisha qëllim ta vrisja, por ta trembja që të mos vinte më në Manzë”, është shprehur autori.
Sipas Miran Tilës, Arben Hasa e kishte sharë, ofenduar dhe kryer veprime të pahijshme kundrejt tij duke e poshtëruar atë. Mirani ka deklaruar se e ka qëlluar Arbenin nga ndenjësja e pasme në pjesën e barkut dhe më pas, kur ai ka zbritur, e ka ndjekur nga pas duke e qëlluar dhe disa herë të tjera.