Dështon nisma e eurodeputetëve grekë në Parlamentin Europian për debat lidhur me situatën e minoritetit grek në Shqipëri. Shumica votuan kundër rezolutëas për vrasjen nga policia shqiptare të minoritarit grek Kacifas.
Nisma e tre eurodeputetëve grekë të grupit konservator dhe reformist në në Parlamentin Europian (PE) për të debatuar lidhur me situatën e minoritetit grek në Shqipëri dhe dalë me një rezolutë, nuk është realizuar. PE refuzoi që kjo të ndodhte në seancën plenarë të ditës së martë, (13.11.2018). 278 eurodeputetë votuan kundër përballë vetëm 48 pro. Nga grupi prej 21 europarlamentarë grekë vetëm 3 prej tyre mbështetën nismën e sipër përmendur.
Nisma e 3 eurodeputetëve grekë, mes të cilëve edhe eurodeputetja e Qipros Eleni Theocharous, u nxit nga reagimi i qeverisë së Tiranës ndaj ekstremizimit dhe gjuhës së urrejtjes, të përdorur nga pjesëmarrësit në funeralin e minoritarit grek Kacifas, që erdhën nga Greqia. Kostandin Kacofas, me dy nështetësi atë shqiptare dhe greke, humbi jetën gjatë shkëmbimit të zjarrit me forcat speciale të policisë, RENEA, 2 javë më parë, në fshatin e tij Bularat, në rrethin e Gjirokastrës.
Në funeralin e tij erdhën qindra grekë, nga të cilët 52 u shpallën “persona non grata- persona të padëshëruar” nga qeveria e Tiranës. Shkak për këtë u bënë thirrjet e tyre ekstremiste për bashkimin me Greqinë me të ashtuaquajturit prej qarqeve ekstremiste greke, “Vorio Epir” ku ndodhet edhe fshati Bularat, i banuar nga minoriteti grek. Ndër personat ”non grata “që u ndalohet hyrja në Shqipëri është edhe euro-deputetja Eleni Theocharous.
Ditmir Bushati-Eurodeputetja greke flet për pushtim të Shqipërisë, bashkim të trojeve greke
Ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Ditmitr Bushati, tha të hënën, (12.11.2018) se shpallja nga qeveria e Tiranës e eurodeputetes Eleni Theocharous “person i padëshëruar” është hapi i fundit i qeverisë pasi ajo ka patur edhe më parë qëndrime ekstremiste. “Euro-deputetja qipriote flet për bashkimin e trojeve greke, flet për pushtim të Shqipërisë. Ajo është anëtare e Parlamentit Europian dhe nuk duhet të kishte mbajtur qëndrime të tilla. Nuk bëhet fjalë për sharje ndaj qeverisë Rama por për cënim të interesave shtetërore” tha Bushati të hënën,( 12.11.2018) .
PE hedh poshtë kërkesën për hetim te vrasjes së Kacifas nga BE me monitorim nga PE
Kërkesa e eurodeputetes qipriote Eleni Theocharous është botuar të martën, (13.11.2018) në website të Parlamentit Europian. Në të eurodeputetja kërkon që ” BE të bëjë një hetim të plotë , të monitoruar nga Komisioni Europian dhe PE për të siguruar respektimin e të drejtave të njeriut përderisa Shqipëria po kërkon të fillojë me BE bisedimet e pranimit. me BE. Kacifas u vra në një operacion eliminimi.” Kërkesa e saj nuk është votuar dhe të martën, PE në seancën plenare nuk ka debatuar për këteë cështje.
Marrëdhëniet Shqipëri-Greqi të tensionuara
Shpallja “non grata” e 52 qytetarëve grekë, mes të cilëve edhe euro-deputetja qipriote, Eleni Theocharous, ka tensionuar marrëdhëniet mes dy vendeve fqinjë. Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme ka dërguar zyrtarisht arsyet e veprimit të saj ndaj eurodeputetes.
“Prononcimet e saj që nxisin urrejtje, cënim të rendit kushtetues te Shqipërisë dhe ngritjen e pretendimeve territoriale, nuk mund të bëhen më në tokën shqiptare” thekson kjo ministri në deklaratën e saj zyrtare. Por njëherazi qeveria shqiptare kërkon të bëhet dallimi mes ekstremistëve grekë dhe popullit grek “Nuk duhet të biem në kurthin që të identifikojme një grup ekstremistësh me popullin grek, që në ditë të vështira dhe në ditë të lumtura ka qenë krah për krah me ne” theksoi të hënën Ditmir Bushati, në programin televiziv “Real Story”.
Shpallja e 52 qytetarëve grekë ”persona të padëshëruar” ka ngritur tensione mes dy vendeve fqinjë. Paketa e zgjidhjes së çështjeve që kanë krijuar ngërҫ më se 70 vjet në marrëdhëniet mes dy vendeve, që nga heqja nga Greqia e Ligjit të Luftës me Shqipërinë, e sekuestros së pronave të shtetit dhe shtetasve shqiptarë në Greqi, tek Marrëveshja e Detit dhe deri tek nënshkrimi i një marrëveshjeje të re partneriteti strategjik… tani nuk duken më afër. Helmimi i opinionit publik me gjuhën agresive dhe ekstremiste e ka larguar në kohë fillimin e një kapitulli të ri në marrëdhëniet Greqi-Shqipëri./Deutsche Welle