Shqipëria përmbyll vitin 2012 me disa arritje, por edhe dështime në planin diplomatik dhe të Politikës së Jashtme. Dështimi për herë të tretë në marrjen e statusit të vendit kandidat për në Bashkimin Europian, është sipas ministrit të Jashtëm, Edmond Panariti pasojë e ngërçit politik në Shqipëri dhe më specifikisht e “një vullneti politik të munguar nga ana e opozitës për të bashkuar votat me mazhorancën”. Në intervistën për gazetën “Shekulli”, ministri hedh poshtë si spekulime informacionet sipas të cilave statusi ishte i humbur për shkak të një vetoje nga Holanda. Por nëse kjo pikë kaloi negativisht në Shqipëri, për Panaritin, Shqipëria ka me çfarë të jetë optimiste në kuadrin e diplomacisë deh Politikës së Jashtme.
Kështu drejtimi me sukses i Komitetit të Ministrave të Këshillit të Europës është një arritje e pamohueshme dhe një notë plus në imazhin e vendit, teksa pritmëritë e larta për gazsjellësin TAP dhe memorandumi tripalësh për këtë çështje përbëjnë hapa të qëndrueshëm nga ana e Shqipërisë duke dëshmuar kështu edhe aftësi planifikimi dhe orientimi në lëmin e Politikës së Jashtme. E kjo e fundit është pazgjidhshmërisht e lidhur me fqinjësinë e mirë, e cila çalon sipas gjasave më shumë në perceptimin mediatik sesa në tavolinat e bisedimeve. Kundrejt çdo analize të përgjithshme, ministri i Jashtëm hedh poshtë si të paqenë “ekzistencën e problemeve me Greqinë”, për të lëmuar frazën në “trajtimin e çështjeve të trashëguara dhe ato të aktualitetit”. Thënë ndryshe, rruga e dialogut mbetet e hapur për të gjitha temat delikate, të cilave së fundmi Tirana zyrtare po u vë emrin e tyre konkret.
Z. Ministër një pyetje fillimisht për përmbylljen e vitit 2012. A u përmbushën sipas jush objektivat kryesore të Politikës së Jashtme duke u përqendruar sidomos të çështja e statusit të vendit kandidat për në Bashkimin Europian?
Politika e Jashtme e Shqipërisë ka patur, ka dhe do të ketë si udhërrëfyes të saj mbrojtjen e interesave shtetërore dhe kombëtare. Në funksion të këtij qëllimi madhor, diplomacia shqiptare lëviz në dy drejtime kryesore. Së pari në ushtrimin e një diplomacie funksionale dhe të një Politike të Jashtme efektive të cilat mbështesin dhe përshpejtojnë Integrimin Europian të Shqipërisë dhe së dyti, intensifikimin e një politike të fqinjësisë së mirë dhe të bashkëpunimit rajonal me shtetet e Ballkanit Perëndimor. Diplomacia shqiptare ka ushtruar një lobing të fuqishëm pranë kancelarive të vendeve anëtare të Bashkimit Europian, për të bërë prezent dhe promovuar arritjet në fushën e reformave për përmbushjen e të dymbëdhjetë prioriteteve të caktuara nga Bashkimi Europian