Fatkeqësisht, dy tenderë me “peshë të rëndë”, prej 4 milionë euro gjithsej, për investime publike në energjinë elektrike dhe shëndetësi, kanë dështuar për shkak të mosplotësimit të kritereve nga konkurruesit privatë.

Kështu, Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, OSHEE, njofton se është anuluar një tender i zhvilluar më 15 qershor 2016, me një fond të konsiderueshëm limit që arrin në rreth 316 milionë lekë ose 2 milionë e 500 mijë euro. Bëhet fjalë për ndërtimin e fiderëve të rinj F – 52, F – 53, të linjave tensionit të mesëm dhe rrjetit të tensionit të ulët në nënstacionin e Shkozetit. OSHEE-ja thotë  se të gjithë operatorët ekonomikë pjesëmarrës nuk plotësojnë kriteret e kualifikimit për këtë objekt.

Edhe Ministria e Shëndetësisë njofton anulim tenderi. Ky prokurim ka të bëjë me furnizimin me materiale mjekësore për shërbimin e ortopedisë së Spitalit Universitar të Traumës dhe Spitalit Rajonal Durrës. Parashikohet marrëveshje kuadër me një operator ekonomik, ku të gjitha kushtet janë të përcaktuara, me afat dyvjeçar. Buxheti i shtetit ka vënë në dispozicion një fond limit prej rreth 200 milionë lekë ose 1 milion e 600 mijë euro. Anulimi i kësaj procedure bëhet për shkak të mosarritjes së konkurrencës.