Sot duhej të paraqitej në konkursin që do të zhvillohej në ambientet e bashkisë Durrës, pasi ishte e vetmja kandidate e përzgjedhur me procedurën Lëvizje paralele, por kjo gjë nuk ka ndodhur.

Bëhet fjalë për kandidaten Daniela Kukaj, e cila konkuronte për pozicionin e lirë të punës; Përgjegjës në Sektorin e Prokurimeve Publike pranë Drejtorisë së Shërbimeve Publike.

Ka qenë bashkia Durrës, që përmes një njoftimi në faqen e saj zyrtare ka njoftuar konkursin për kandidatën Kukaj, ditën e sotme (e enjte), ora 10.00, ndërsa me një njoftim të mëvonshëm, drejtoria e Burimeve Njerëzore ka bërë të ditur se Daniela Kukaj, nuk është paraqitur.

“Konkurimi i datës 14.04.2022 për pozicionin Përgjegjës në Sektorin e Prokurimeve Publike pranë Drejtorisë së Shërbimeve Publike, nuk u zhvillua pasi kandidatja e vetme për lëvizje paralele nuk u paraqit. Vazhdon procedura për ngritje në detyrë.”, njofton bashkia në faqen zyrtare.

Deri më tani nuk dihet arsyeja, pse kandidatja Kukaj nuk u paraqit në konkursin për vendin e lirë të punës, për më tepër që ishte kandidatja e vetme.