Largimi në mënyrë demostrative i opozitës nga salla e Këshillit Bashkiak Durrës solli dështimin e mbledhjes.
Në emër të grupit të këshilltarëve të Partisë Demokratike dhe Partisë së Lirisë, Dritan Burgija shpjegoi se shkak për braktisjen e mbledhjes është përfshirja në rendin e ditës të pikave të ndryshme në kufijtë e skadimit të afateve ligjore për dërgimin e materialeve.
Largimi i opozitës, solli dështimin e mbledhjes, sepse të pranishëm në sallë ishin vetëm 23 këshilltarë dhe nuk plotësohej kuorumi i nevojshëm. Për kreun e grupit të këshilltarëve socialistë, Rolant Xhelilaj përfshirja e pikave shtesë në rendin e ditës është konform rregullores.
Mbledhja e rradhës e KB-së, ku pritet të diskutohen 17 pikat e mbledhjes së sotme pritet të zhvillohet në një tjetër datë. Xhelilaj deklaroi se në shtator pritet të ndryshojnë disa pika të rregullores së Këshillit Bashkiak.
Këshilltarëve iu dërguan këto ditë materiale për 23 pika në rend dite, por më pas bashkia tërhoqi 6 projektvendime, duke lënë vetëm 17 në mbledhjen e së premtes.
M.B.





