DURRËS, 20 mars 2013 – Tentativat për të nxjerrë nga deti peshkarexhën e mbytur dy ditë më parë kanë dështuar. Peshkarexha “Akuario 2” u përplas me tragetin e linjës Bari-Durrës, AF Michela, gjatë manovrimeve të këtij të fundit për t’u ankoruar në kalatën e trageteve.
Në momentin që operacioni për nxjerrjen e mjetit lundrues po përfundonte, është shkëputur një nga kavot që e tërhiqte gjë që ka bërë që peshkarexha të përfundonte sërish në fund të detit. Përpjekjet për nxjerrjen e saj vijuan deri në orët e vona të mbrëmjes dhe pritet të rifillojnë mëngjesin e ditës së nesërme.
Ndërkohë tre mjetet lundruese të cilat u përplasën në basenin e portit të Durrësit nga trageti “AF Michela” kanë kërkuar dëmshpërblim. Mjeti lundrues është bllokuar deri në përfundim të hetimit që do të nxjerrë fajtorin që shkaktoi incidentin në basenin e portit.
Mësohet se tre anijet e dëmtuar nga përplasja me tragetin kanë kërkuar dëmshpërblim financiar nga kompania që ka në pronësi tragetin në fjalë. Nga hetimet e deritanishme bëhet e ditur se ka qenë trageti që, gjatë ankorimit ka goditur tri mjetët e tjera që ndodheshin ta ankoruara në kalatën nr. 7.
Sipas Kapitenerisë së portit, kushtet atmosferike dhe forca e detit prej 5 ballësh nuk ishin aq të këqia sa të shkaktonin një incident të tillë por duket se trageti ka manovruar gabim e për pasojë është përplasur më parë me një anije mallrash dhe pastaj ka goditur peshkarexhën, të cilën e ka fundosur sa hap e mbyll sytë.
Mësohet se dëmshpërblimi i kërkuar nga tre mjetet e përfshira në incidentin ujor arrin në rreth 1 milion euro.
/m.l. Agjencia e Lajmeve "Dyrrah"/





