Shndërrimi i Porti i Durrësit në një nga marinat më të mëdha turistike në Europë u prezantua si megaprojekti strategjik i qeverisë pas zgjedhjeve të vitit 2021. Kryeministri Edi Rama premtoi miliarda euro investime dhe mijëra vende pune, ndërsa projekti u lidh me biznesmenin nga Emiratet e Bashkuara Arabe, Mohamed Alabbar.
Por dokumentet dhe ecuria reale e investimit tregojnë një panoramë krejt tjetër nga ajo e premtuar.
Projekti, i zhvilluar nga kompania Eagle Hills në partneritet me shtetin shqiptar përmes shoqërisë Durrës Marina, parashikon ndërtimin e 1.3 milionë metrave katrorë rezidenca, hotele dhe një port jahtesh me 280 vende.
Ndryshe nga prezantimi fillestar si investim i fuqishëm i huaj, rezulton se kapitali real i investitorit është minimal. Nga 2.3 miliardë euro investime të parashikuara, vetëm 80 milionë euro janë para të vetat dhe 80 milionë euro kredi bankare, ndërsa diferenca, mbi 2 miliardë euro, do të sigurohej nga parashitjet e apartamenteve.
Madje, shitjet nisën në gusht 2022, përpara miratimit përfundimtar të marrëveshjes në Kuvend dhe përpara se kompania të kishte të drejta pronësie mbi tokën e Portit të Durrësit. Sipas bilanceve, gjatë kësaj periudhe janë arkëtuar rreth 750 mijë euro, pa përfunduar procedurat ligjore të transferimit të pronës. Shoqëria e përbashkët u themelua zyrtarisht në janar 2023, ku kompania private zotëron 67% të aksioneve dhe shteti shqiptar 33%.
Megjithatë, sipas përllogaritjeve të bëra mbi tokën publike, taksat e falura dhe kostot e lidhura me ndërtimin e portit të ri në Porto Romano, kontributi i shtetit arrin në rreth 665 milionë euro.
Në fund të projektit, shteti parashikohet të marrë rreth 515 milionë euro (dividendë dhe taksa), çka nënkupton një humbje prej rreth 150 milionë euro. Ndërsa pala private, me një investim fillestar shumë më të ulët, projekton fitime mbi 570 milionë euro.
Zhvendosja e portit tregtar në Porto Romano parashikon një kosto prej 390 milionë euro vetëm për fazën e parë, shifër që nuk është reflektuar në formulën e ndarjes së aksioneve të projektit turistik. Po ashtu, nuk ka një vlerësim të qartë të asetit ekzistues të Portit të Durrësit që po transformohet.
Tre vite pas nisjes së punimeve, janë përfunduar vetëm 3 godina dhe 2 të tjera janë në ndërtim. Vlera e investimeve për vitet 2023–2024 është rreth 41 milionë euro, ndërsa kapitali real i investuar nga kompania private llogaritet vetëm 10 milionë euro, rreth 12% e shumës së premtuar prej 80 milionë euro.
Edhe të ardhurat nga parashitjet janë më të ulëta sesa ishte parashikuar, me rreth 36 milionë euro të mbledhura në dy vite. Numri i punonjësve në kompani është 55, shumë larg mijëra vendeve të punës të premtuara në fillim.
Nëse projekti vijon me këtë ritëm, faza e parë mund të zgjasë deri në 30 vite, ndërsa realizimi i plotë i tij do të kërkonte disa dekada.
Përballë këtyre shifrave, pyetja që mbetet është: a kemi të bëjmë me një investim strategjik apo me një projekt që rrezikon të dështojë, duke i kushtuar më shumë shtetit sesa investitorit privat?/Piranjat.news





