Protesta e paralajmëruar në rrjetet sociale lidhur me vrasjen e 15-vjeçarit Erjon Boba, ditë më parë në zonën e ish-Kënetës në Durrës, ka dështuar.

Ajo ishte lajmëruar për t’u mbajtur në orën 11:00 në sheshin qendror të qytetit, por adoleshentët, shokë shkolle apo të njohur të 15-vjeçarit që mbeti viktimë e plagosjes me thikë, nuk janë paraqitur, ndërsa në shesh vihej re prani e forcave policore.

Halla e 15-vjeçarit, Barie Çupi, kritikon indiferencën e treguar në këtë rast, i cili duhet të shërbente si një kambanë alarmi për të zgjuar të gjithë shoqërinë.

Në prononcimin e saj për mediat, Çupi thotë se shkak për mospjesëmarrjen e shokëve të adoleshentit mund të ketë qenë fakti se ata duhet të ishin në procesin mësimor.

Erjon Boba u plagos më thikë ditë më parë në Durrës, nga 14-vjeçari me inicialet M.K. dhe humbi jetën në spital, pas ditësh të tëra të kaluara në intubim në Durrës e Tiranë për shkak të gjendjes mjaft të rënduar shëndetësore. Edhe autori edhe viktima ndiqnin mësimet në shkollën e mesme “Dom Nikollë Kaçorri” në zonën e ish-Kënetës.

M.B.