Bashkimi Europian po përpiqet me finesë diplomatike të pengojë përplasjet për shkak të Kosovës në samitin e Ballkanit Perëndimor javën e ardhshme në Sofje. Vendet që nuk e kanë njohur Kosovën kërcënojnë me bojkot.

Grindja e vazhdueshme në disa vende të BE-së për statusin e Kosovës hedh hije në përgatitjet e samitit të Ballkanit të BE-së në Sofje më 17 maj. Një javë para samitit të BE-së shenjat duken ende se janë për konfrontim.

Pesë vende të BE-së nuk e pranojnë njohjen e Kosovës. Greqia, Rumania, Sllovakia, Spanja dhe Qipro duan ta bëjnë këtë të qartë edhe në samitin e BE-së në Sofje. Sipas tyre asnjë simbol në këtë samit nuk duhet të interpretohet sikur pavarësia e Kosovës e shteti i Kosovës janë të pakontestuar.

Për të mundësuar zhvillimin e samitit siç është  planifikuar, BE përpiqet tani me finesa diplomatike. Kështu në deklaratën përfundimtare të takimit në Sofje nuk do të flitet për vendet e Ballkanit Perëndimor, por për partnerët e Ballkanit Perëndimor, njofton agjencia e lajmeve dpa, duke iu referuar qarqeve të BE.

 Spanja nuk merr pjesë për shkak të Kosovës

Nga ana tjetër edhe vendet, ku do të ulen krerët e shteteve dhe qeverive të BE-së, do të shënjohen me emrat e tyre dhe jo si zakonisht me emrat e vendeve. Me këto rregullime, organizatorët shpresojnë që të mos bojkotohet samiti i Ballkanit Perëndimor. Vetëm kreu i qeverisë spanjolle, Mariano Rajoy, megjithë lëshimet e bëra nuk do të marrë pjesë në samit, bëhet e ditur nga diplomatët e Brukselit. Në Madrid u tha së fundmi, se para sfondit të lëvizjeve seperatiste në Katalonjë, Rajoy nuk do që të dalë në fotografi me presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi.

Në samitin e Sofjes do të flitet për perspektivën europiane të Ballkanit Perëndimor. Por nuk mendohet se BE do të ofrojë një kohë të saktë anëtarësimi. Kur Komisioni Europian në strategjinë e Ballkanit të prezantuar në shkurt ofroi si datë të mundshme anëtarësimi vitin 2025 për Serbinë dhe Malin e Zi, pati reagime kundërshtuese nga vendet anëtare. Kritikët thonë se Ballkani është ende shumë larg përmbushjes së kritereve që duhen për anëtarësim në BE./DW