Përfundon në mënyrën më të keqe takimi i tretë i Këshillit të Stabilizim-Asocimit mes Kosovës dhe Bashkimit Europian. Shkak janë bërë tarifat 100% të mallrave që vijnë nga Serbia dhe Bosnje Hercegovina. Për Brukselin kjo masë dëmton interesat e Kosovës dhe synimet e saj për të qenë një vend tërheqës për investime.
BE nënvizoi rëndësinë e vijimit me efektshmëri të zbatimit të Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit, si një detyrim kontraktual ku përfshihet edhe hapësira tregtare dhe doganat. BE shprehet thellësisht i keqardhur për vendimin e njëanshëm të qeverisë për rritjen e tarifave për importet serbe dhe boshnjake dhe këmbëngul në heqjen e menjëhershme të tyre.
Por jo më pak e ashpër ishte kundërpërgjigja e kryeministrit Ramush Haradinaj. Kreu i qeverisë sulmoi BE duke thënë se ka dështuar në ndërmjetësimin mes Prishtinës dhe Beogradit.
Njëzet vjet pas luftës, dhjetë vjet pas pavarësisë, dhe pesë vjet pas Marrëveshjes së Brukselit, realiteti është se, përparimi drejt normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë ka qenë minimal, dhe në fakt tani ka dalë krejtësisht nga binarët, veçanërisht me diskutimin publik mbi idenë fatale të korrigjimit të kufirit dhe shkëmbimit të territorit; Ka dëmtuar seriozisht kredibilitetin e ndërmjetësuesit, dhe ka dëmtuar arritjet që kemi bërë në dialogun e ndërmjetësuar nga BE për më shumë se 7 vjet.
Haradinaj përsëriti qëndrimin e tij se ndryshimi i kufijve me Kosovës dhe Serbisë do të sillte tragjedi të reja në Ballkan. Situata e tensionuar në ballafaqimin për MSA-në, çoi në anulimin e konferencës së përbashkët Bruksel – Prishtinë.