Kreu i PD-së, Lulzim Basha ka reaguar sot ndaj deklaratave se opozita po kërkon të destabilizojë vendin.

Përmes një postimi në rrjetin social “Facebook”, Basha iu drejtohet edhe ndërkombëtarëve duke u shprehur se beteja e opozitës është edhe për Europën dhe Amerikën.

Statusi ne “Facebook” i Lulzim Bashës:

Beteja jonë për zgjedhje të lira, për demokraci të vërtetë dhe për një Shqipëri të lirë nga droga dhe krimi, nuk është vetëm për fatin e shqiptarëve dhe të ardhmen e Shqipërisë. Kjo është betejë edhe për Europën, edhe për Amerikën, sepse është betejë për vlerat e përbashkëta dhe për sigurinë e përbashkët. Një Shqipëri e sigurtë, kontribuon për një Europë të sigurtë. Një Shqipëri demokratike dhe e fortë kontribuon në partneritetin strategjik dhe sigurinë euroatlantike. Ndërsa një Shqipëri që ka humbur kontrollin e territorit dhe të kufijve, me një qeverisje të kapur nga krimi sjell pasiguri për Europën dhe kthehet në konsumator të partneritetit strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Liria, demokracia dhe mirëqeverisja janë të vetmet garanci për stabilitetin, sigurinë dhe mirëqenien, për sot dhe për nesër. #NgrihemiBashkë #ZgjedhjeTeLira #RepublikaeRe