Policia dha sqarime zyrtare për ngjarjen e ndodhur mbrëmjen e shkuar në lagjen "30 Vjetori" të qytetit të Beratit, ku një 43-vjeçar mbante të mbyllur në banesë prej tre ditësh të birin.
Në pranga përfundoi Admir Duro, i cili akuzohet se ka mbajtur peng djalin e tij shtetasin Albert Duro, 17 vjeç, banues në lagjen “30 Vjetori”, Berat dhe ka ushtruar dhunë psikologjike ndaj tij.
Sipas njoftimit zyrtar, shtetasi Admir Duro gjithashtu kundërshtoi me forcë punonjësit e policisë për tju shmangur shoqërimit, duke i goditur me sëpatë e sende të forta, për pasojë u dëmtuan lehtë dy efektivë policie.
Për më shumë se tri orë pasditen e shkuar, 43 vjeçari u mbyll në banesë duke kundërshtuar forcat e rendit. Ai më pas u ngjit në çati qëlloi me sende të forta policinë.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Berat, për veprat penale, “Heqja e paligjshme e lirisë”, “Dhuna në familje”, “Kundërshtimi me dhunë i punonjësit të policisë” dhe “Prishja e rendit dhe qetësisë publike”.
Gjithashtu u përgatit Kërkesë Padia për Urdhër Mbrojtje të menjëhershëm, për shtetasin Albert Duro.





