Policia e Shtetit ka dhënë detaje të tjera për drogën e sekuestruar në autobusin e linjës Kakavijë-Janinë, ku ka rënë në pranga një 28-vjeçare nga Fieri.

Policia bën me dije se shtetasja Izaura Musa, 28 vjeçe ka kaluar si këmbësore në Kakavije për në Greqi, mëngjesin e datës 6 prill 2018.

Asaj i janë kontrolluar bagazhet edhe nga Policia shqiptare edhe nga Policia greke. Gjatë kontrollit nuk i është konstatuar asnjë send i kundraligjshëm.

Në datën 8 prill, pra 2 ditë me vonë, kjo shtetase është ndaluar brenda territorit grek në autobuzin e linjës Kakavijë-Janinë, duke transportuar 10 kilogramë lëndë narkotike kanabis, gjatë udhëtimit nga Kakavija drejt Janinës.

Kjo shtetase prej mëngjesit të datës 06.04.2018, nuk ka hyrë në territorin shqiptar dhe lëndën narkotike e ka marrë në territorin grek.

Gjithashtu, nga shkëmbimi i informacioneve me homologët greke rezulton se kjo shtetase ishte në procedim nga Antidroga e Janinës, prej kohësh.