Në një njoftim zyrtar Policia e Dibrës ka sqaruar se i riu që i dha fund jetës me armë zjarri sot në Klos ishte shpallur në kërkim për dhunë në familje.

Kanë qenë qytetarët që kanë lajmëruar policinë se 31-vjeçari Ari Hoxha po shkonte i armatosur në drejtim të banesës së bashkëshortes, në fshatin Plan i Bardhë Klos.

Në pritje të ardhjes së përforcimeve nga DVP Dibër, shërbimet e Policisë kanë dëgjuar një të shtënë armë zjarri dhe rreth 150 metra larg banesës së vjehrrit është gjetur i vetëvrarë me një plumb në kokë i riu Hoxha.

NJOFTIMI I PLOTË

Shërbimet e Stacionit të Policisë Klos morën informacion nga qyetarët se shtetasi në kërkim Ari Hoxha, 31 vjeç, lindur dhe banues në fshatin Gurrë, i armatosur po shkonte në drejtim të banesës së bashkëshortes, në fshatin Plan i Bardhë Klos.

Shërbimet e Policisë të Stacionit Klos u nisën menjëherë drejt adresës ku kishin marrë informacionin për personin e armatosur, i cili ishte person i shpallur në kërkim për veprën penale "Dhunë në familje". Shërbimet e Stacionit të Policisë Klos kanë kërkuar përforcime dhe kanë rrethuar në distancë banesën.

Në pritje të ardhjes së përforcimeve nga DVP Dibër, shërbimet e Policisë kanë dëgjuar një të shtënë armë zjarri. Rreth 150 metra larg banesës së vjehrrit është gjetur, dyshohet i vetëvrarë me një plumb në kokë shtetasi Ari Hoxha.

Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorit të Matit është në vendngjarje ku vijojnë veprimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes.