Trupat e pajetë të dy viktimave të aksidentit tragjik në Bërzhitë janë gjetur në anë të rrugës. Mësohet se ato janë nxjerrë jashtë makinës për shkak të shpejtësisë së lartë të mjetit. Dy 17-vjeçaret Denada Tarja dhe Suada Serani ndërruan jetë në vend.
Aksidenti i rëndë ndodhi pak pas mesnatës në aksin e vjetër Tiranë-Elbasan. 5 të rinjtë që u përfshinë në aksident kanë qenë duke festuar ditëlindjen e një prej 14-vjeçarëve në një lokal në dalje të Bërzhitës.
Në kthim pas mesnate, mësohet se për shkak të lagështisë dhe shpejtësisë, drejtuesi i mjetit, 18-vjeçari Francesko Shabani ka humbur kontrollin dhe është përplasur me pemën e më pas me bordurën, nga ku humbën jetën dy vajza 17-vjeçare, Suada Serani dhe Denada Tarja. Mësohet se shoferi 18-vjeçar ka qenë pa patentë dhe grupi i hetimit gjatë kontrollit në makinë ka gjetur patentën e të atit. Nga aksidenti mbetën të plagosur drejtuesi i mjetit (18-vjeçar) dhe dy pasagjerë të tjerë (nga 14 vjeç).





