Ish-Presidenti i vendit, njëherësh kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta është arrestuar ditën e sotme. Burime bëjnë me dije se Presidenti i PL, Ilir Meta është vendosur sot nën arrest me urdhër të SPAK.
Ilir Meta është ndaluar nga agjentët e BKH të asistuar edhe nga policia pranë zonës së Casa Italias, në Tiranë. Presidenti i PL-së po udhëtonte me makinën personale që dyshohet drejtohej nga shoferi i tij, kur është arrestuar nga agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit me urdhër të SPAK.
Pritet që Ilir Meta të mbërrijë në Drejtorinë Vendore të Policisë së Tiranës.
Ndërkohë, Ilir Meta kishte paralajmëruar një konferencë për shtyp mesditën e sotme, në orën 13:40, ku ishin ftuar të merrnin pjesë gazetarët.
“Në ora 13:40, Presidenti i Partisë së Lirisë, Z. Ilir Meta do të ketë një konferencë për shtyp. Ftohen të gjithë gazetarët të marrin pjesë”, thuhej në njoftimin e zyrës së shtypit të bërë në orën 12:09.
Ende nuk ka një njoftim zyrtarë nga Prokuroria e Posaçme për këtë urdhër-arrest, por kujtojmë që Ilir Meta është thirrur në SPAK për të dhënë shpjegime për një sërë çështjesh.