Një nga personat e ndaluar lidhur me vrasjen e Dëfrim Kasmit, Mario Meshini ka dëshmuar në polici detaje nga atentati i së hënës në rrugën “Kongresi i Manastirit”, në Tiranë.

Në gjendje të tronditur psikologjike ka thënë se e njeh Dëfrim (Devi) Kasmin prej 7 muajsh, pasi i ka prezantuar kunati i vet. Ai është shprehur se i bashkonte pasioni për palestrën.

Meshini ka thënë se vrasësi ka qenë mbi 180 cm i gjatë dhe me shumë mjekër, ka pasur në kokë një kapuç të zi dhe të palosur të balli. Drejtuesin e motorit me të cilin u larguan autorët nuk e ka parë.

Vrasja ka ndodhur para se Meshini të takohej me Dëfrimin (Devin).

Gjithashtu ai ka thënë se sapo zbriti viktima nga makina u qëllua pas shpine. Nuk ka pasur asnjë dialog mes vrasësit dhe viktimës. Ndërkohë që Mario ishte ende në motorin e tij. Në momentin që u qëllua Kasmi, Mario ka ngritur duart dhe ka thënë se nuk kishte lidhje me Kasmin, "s'kam gjë me të".

Autori u largua me vrap drejt motorit dhe pak sekonda më vonë u largova dhe unë pa prekur asgjë në vendngjarje, është shprehur Meshini përballë hetuesve./tvklan.al