Hetimet për vrasjen e dy vëllezërve Haxhia në Durrës janë zgjeruar duke përfshirë të tjerë persona si të dyshuar.
Burime nga grupi hetimor bëjnë me dije se atyre u janë vënë në dispozicion emra të shumtë të botës së krimit, ndërsa tashmë po hetohen disa ngjarje që kanë ndodhur ne të kaluarën e që presin të zbardhen.
Policia dhe Prokuroria janë duke kërkuar intensivisht për zbulimin e 3 autorëve të tjerë të cilët kanë bashkëpunuar në atentat, identiteti i të cilëve dihet por nuk i dihet vendndodhja pavarësisht kontrollit në shumë banesa në Durrës.
Identifikimi i 3 autorëve është bërë i mundur nga dëshmia e 22-vjeçarit Klevis Alla, i cili është bashkëpunëtor i drejtësisë.
Nga ecuria hetimeve, autorët pas largimit nga vendngjarja dyshohet se kanë patur një konflikt me njëri-tjetrin i cili ka degraduar deri në përdorim e dhunës.
Ky dyshim për hetuesit përforcohet nga njollat e gjakut mbi mjetin e krimit me gjurmët e Ndocit dhe Allës.
Ky konflikt që i ka bërë ata të shkëputen nga njëri-tjetri duke lënë edhe makinën e pa asgjësuar. Kjo e ka frikësuar 22-vjeçarin që më pas i ka denoncuar bashkëpunëtoret.
Hetuesit deri më tani janë fokusuar tek pistat e vrasjes për shkak prishjes së pazareve të drogës ndërkohë paralelisht po verifikohet dhe mundësia që vëllezërit Haxhia të jenë grabitur ditën e ekzekutimit.
Këto dyshime përforcohen pasi vëllezërit kishin me vete një sasi të madhe parash. Burime nga të afërm të familjes Haxhia bëjnë me dije se ata kanë shkuar tek tregu sepse kishin bërë shitjen e një makine me vlerë 3700 Euro dhe ndërkohë kishin me vete rreth 3000 Euro te tjera si dhe një shumë lekësh që arrin afërsisht 10 milionë.
Nga momenti i ekzekutimit deri te mbërritja e policisë në vendngjarje ka një vonesë prej 15 minutash, ndërsa telefonata e bërë në sallën operative ka qenë për grabitje.
Por policia në njoftimin zyrtar nuk tha vlera monetare të gjetura në mjet. Pista e grabitjes gjithashtu përforcohet nga fakti që i riu Alla ka deklaruar në një prej versioneve të ngjarjes se vrasjen e kanë kryer për shitjen e një makine të vjedhur, për të cilën vëllezërit nuk i kishin paguar.
Gjithashtu është duke u hetuar edhe pista e lidhjes me grabitjen e 5 milionë eurove në aeroportin e Rinasit, pasi u mësua se vëllezërit Haxhia kishin lidhje me kokën e grabitësve, Admir Muratajn.
Pas dëshmisë së 22-vjeçarit Alla, grupi hetimor ka disa pista hetimi paralelisht, por deri më tani mungon përgjigja e pyetjes bazë se kush i porositi vrasjet dhe sa është çmimi i paguar për këto ekzekutime. /RTV ORA





