Dy persona të vdekur dhe tre të plagosur, anëtarë të një familje. Ky është bilanci i krimit makabër që ka ndodhur mesditën e sotme në zonën e Paskuqanit në Tiranë. Autori dyshohet se është ish-dhëndri, shtetasi i identifikuar si Ramazan Hutra.

Shkaqet e ngjarjes nuk dihen ende, por paraprakisht bëhet me dije se autori rreth 35 vjeçar, kishte pak kohë që ishte dalë nga burgu dhe ishte ndarë dhe nga gruaja.

Kanë qenë banorët e zonës që kanë njoftuar Policinë menjëherë sapo kanë dëgjuar të shtënat e armëve. Ramazan Hutra ka shkuar në shtëpinë ku banonte ish-gruaja e tij dhe ka hapur zjarr ndaj personave që ndodheshin aty, duke lënë të vdekur ish-vjehrrin dhe një grua tjetër.